Më 12 korrik, përkujtojmë 86 vjetorin e vdekjes së Atë Leonard de Martino, françeskan
arbëresh.
(12.7.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, më 12 korrik, përkujtojmë
86 vjetorin e vdekjes së Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh.Më 12 korrik
1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino.
De Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri
u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për
hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht
në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu
si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës,
Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël,
Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në
Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më
të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino. Atë
Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë
shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar
e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin
sytë për dritën e kësaj bote. E de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre
vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923. I la trashëgim kulturës
shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provinçën françeskane:
veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë:
‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit
milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias
më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesů Cristo’
të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di
un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje
e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në
italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe
të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër
1880, e para në llojin e vet në shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen
e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi
me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet
e tij më të frymëzuara.