2009-07-11 14:14:54

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B'


(11.7.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës , kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës hyjnore të dielës së 15 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Të dielën e kaluar liturgjia e fjalës Hyjnore na paraqiti e foli mbi figurën e profetit e të Jezusit të “refuzuar”, ndërsa këtë të diele mbizotëron figura e profetit dhe apostullit të “lirë” e guximtar, që nuk ndalet, as nuk përkulet para pushtetarëve e të fuqishmëve, as para rreziqeve, as para propozimeve joshëse të çdo lloji e natyre. Profeti e ndjen në vete se ka vetëm detyrimin t’i qëndroj besnik asaj “Fjale” që Zoti ia ka besuar për t’ia shpallur njerëzve me fjalë e vepra.
Me fjalë tjera, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na kujton angazhimin tonë si misionarë të Ungjillit në realitetin bashkëkohor. Ta pranojmë edhe ne thirrjen e Zotit, i cili na dërgon nëpër fshatëra e qytete, siç bëri me profetët e apostujt, për ta përhapur Lajmin e Mirë, Fjalën jetëdhënëse e shpëtimprurëse të Hyjit, për ta ndërtuar një shoqëri të re të mbështetur mbi mirëkuptim, ndihmë e dashuri të anasjelltë.
Ngjarja që profeti Amos tregon në leximin e parë të kësaj së diele (Am 7,12-15) nxjerr në pah faktin se i “dërguari” apo më mirë të themi misioni i profetit ose i apostullit, nuk është zgjedhje që ka vendosur njeriu, por është nismë e Zotit, pra Hyji thërret e njeriu përgjigjet: mu për këtë ai që dërgohet duhet t’i bindet vetëm Zotit, pa kompromise me institucione apo njerëz.
Është vështirë të shprehet me pak fjalë pjesa e mrekullueshme e letrës së Shën Palit drejtuar Efesinaëve (Ef 1,3-14) që është leximi i dytë i kësaj së diele, ku kemi të përmbledhur (ajkëtuar) të tërë dëshirën Hyjit ndaj njeriut. Nga njëra anë, leximi i dytë i kësaj së diele rrëfen për bekimin, lavdin ndaj Hyjit nga ana e njeriut, dhe në anën tjetër për të gjitha të mirat që ne njerëzit marrim nga Zoti.
Të vërtetat për të cilat shkruan Pali apostull duhen ruajtur e kultivuar, prandaj misioni i parë i çdo besimtari, i secilit prej nesh është kumtimi i Dashurisë e Mbretërisë së Zotit. Ky është një mision që lypet bërë me varfëri, me liri e pa synime tjera përpos atij që Krishti na ka besuar. Kështu Shën Marku në pjesën ungjillore të kësaj së diele na tregon për misionin që Jezusi u ka besuar Apostujve, për t’i shpallur të gjithë njerëzve e popujve ardhjen e Mbretërisë së Zotit; mision ky në të cilin edhe ne jemi të thirrur të marrim pjesë, secili sipas thirrjes personale që ka e sipas aftësive dhe mundësive personale që ka.
Pra, në këtë të diele populli i Zotit e dëgjon Fjalën Hyjnore, e cila e fton të reflektojë mbi Kishën e mbi apostullatin. Çdo njëri prej nesh është i thirrur të jetë dëshmitar i së Vërtetës e i Dashurisë së Zotit, madje të bëhet bartës e apostull i këtij misioni. Si gjithmonë edhe sot Zoti fol e shprehet përmes fjalëve njerëzore të apostujve të vet. Të mësojmë të bëhemi edhe zëri i Tij për njerëzit e kohës sonë.E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të kësaj së diele, ta dëgjojmë e pranojmë thirrjen që Zoti i drejton secilit prej nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.