2009-07-11 18:38:35

Kryevjetori i Ditës XXIII Botërore të Rinisë: Sidnei 2008.


(12.07.2009 RV)RealAudioMP3 Një vit më parë Benedikti XVI u jepte këtë njoftim të rinjve, mbledhur në Sidnei: World Youth Day 2011 will take place in Madrid, Spain (Dita Botërore e Rinisë 2011 do të mbahet në Madrid të Spanjës).
Të rinjtë spanjollë e pritën me brohoritje të fuqishme, njoftimin që dha Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mbarim të Meshës me të cilën përfundoi Ditën e 23-të Botërore të Rinisë të Sidneit. Shumë nga të rinjtë spanjollë u ngjitën në elterin papnor, duke shpalosur bluzat e kuqe me shkrimin “Sidnei 2008- Madrid 2011’.
Përvojë e jashtëzakonshme, jehona e së cilës vijon, e do të vijojë deri në Ditën e ardhshme të të rinjve, Madrid 2011. Mozaik shumëngjyrësh, i formuar nga djem e vajza ardhur nga të katër anët e tokës, të bashkuar në fenë e vetme në Jezu Krishtin. – do t’i quante Papa këto ditë të paharueshme e do të shtonte: “Të rinjtë shtegtarë, në këto Ditë ndërkombëtare, të filluara nga Gjon Pali II, janë dëshmitarë të dashurisë së Krishtit. Këto takime formojnë etapat e një shtegtimi përmes udhëve të planetit, për të treguar sesi besimi në Krishtin na bën të gjithëve bij të një Ati të vetëm, që është në qiell, dhe ndërtues të qytetërimit të dashurisë”.
Në Sidnei posaçërisht u fitua përvoja e qendërsisë së Shpirtit Shenjt, protagonist në jetën e Kishës e në jetën e besimtarit të krishterë. E kështu kjo Ditë Botërore u shndërrua në ditë Rrëshajësh, nga e cila rinisi misioni i të rinjve, që janë të thirrur për të qenë apostuj të bashkëmoshtarëve, ashtu si shumë shenjtorë e të lum. Çdo djalë e çdo vajzë ftohet të ndjekë shembullin e tyre, të ndajë me të tjerët përvojën personale të Jezusit, që ua ndryshon jetën miqve të tij me forcën e Shpirtit Shenjt, Shpirtit të dashurisë së Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.