2009-07-11 18:37:47

Koment i Atë Lombardit për atmosferën dhe përmbajtjen e takimit të Benediktit XVI me Obamën.


(12.07.2009 RV)RealAudioMP3 Mbrojtja e jetës, paqja në Lindjen e Mesme, kriza ekonomike dhe dialogu ndërfetar – ishin disa nga temat, që u prekën në takimin e parë të Benediktit XVI me Barak Obamën, i cili u prit pasditen e së premtes së kaluar, në Vatikan, së bashku me të shoqen, Mishelë, të bijat e grupin shoqërues.
Për atmosferën dhe përmbajtjen e këtij takimi, të ndjekim drejtorin tonë të përgjithshëm, zëdhënës i Vatikanit, Atë Federiko Lombardin, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - U krijua një frymë përzemërsie, kënaqësie ndërmjet dy bashkëbiseduesve, që munden të njihen personalisht, të takohen të kenë mundësinë për të dialoguar, për t’u shprehur e për ta dëgjuar drejtpërdrejt njëri-tjetrin. Ky është gjithnjë hap përpara në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e, në këtë rast, ndërmjet njerëzve që kanë autoritet të madh e rëndësi të madhe në rrugën e njerëzmit.

Pyetje: - Në këtë rast, dhuratat flasin e thonë shumë: Papa i dhuroi Obamës Enciklikën ‘Caritas in Veritate”, por edhe Dokumentin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë “Dignitas Personæ” …

Përgjigje: - Sigurisht! Enciklika fton për ta rimenduar projektin kulturor të zhvillimit të vërtetë të njerëzimit e prandaj Papa dha kontributin e vet. Njëkohësisht, siç e dimë, në Amerikën e sotme zhvillohet një debat i madh për vlerat themelore të mbrojtjes së jetës e, në këtë perspektivë, ndërmjet Kishës e politikës së presidentit Obama ka ndryshime, madje të ndjeshme. Fakti që Papa i dhuroi dokumentin “Dignitas Personæ”, shprehja më e plotë e më e thelluar e mendimit katolik mbi etikën e jetës, është shumë domethënëse. Papa i bëri presidentit disa propozime, në mënyrë të qartë e të ndershme, të cilat u pritën me shumë respekt, edhe pse pastaj duhet parë e duhet vlerësuar në se këto kërkesa do të respektohen apo jo.

Pyetje: - Sidoqoftë presidenti një impenjim e mori në mbrojtje të jetës…

Përgjigje: - Po, ripohoi atë që e pati thënë edhe më parë: se ka për qëllim, me impenjimin e qeverisë, ta kufizojë sa më shumë që të jetë e mundur numrin e aborteve. Ky është impenjim, që duhet vlerësuar. Nuk plotëson gjithë këndvështrimin e Kishës mbi problemin, por sigurisht, duke pasur parasysh realitetin e plagës së rëndë të abortit, është padyshim një impenjim pozitiv, të cilin ai e pohoi në takimin me Atin e Shenjtë, në sa Papa po i shprehte shqetësimin e thellë të Kishës për jetën njerëzore.

Pyetje: - Bilanci që mund të bëhet për një ngjarje kaq të rëndësishme?

Përgjigje: - Bilanci natyrisht është pozitiv. U arrit pikërisht ajo që prisnim e shpresonim, dmth u tregua se ekziston mundësia për të filluar një dialog plot përgjegjësi, përballë problemeve të rënda të njerëzimit të sotëm e të nesërm, e presidenti Obama dëshmoi se është në gjendje të ofrojë aftësi krijuese e personalitet, që ngjall shpresa e krijon besim për kërkimin e rrugëzgjidhjeve të reja, përballë këtyre problemeve të mëdha që kemi para nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.