Atë Shtjefën Gjeçovi në 135-vjetorin e ditëlindjes (1874-1929)
(12.7.09 RV)Kujtojmë sot një nga tri figurat vigane që krishtërimi i fali kulturës
kombtare shqiptare, fratin françeskan shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin, i cili për
kontributin e tij, radhitet përkrah dy gjenive të tjerë të krishterimit në Shqipëri,
Atë Gjergj Fishtës e Atë Anton Harapit. Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit
të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë
menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i
Madh. Po Atë Shtjefini ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike
që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte ngapak
në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan
me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri
modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit
gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të,
duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një
nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. Lindi 132 vjet më
parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike.
Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja
jo të zakonshme zgjuarësie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve,
e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjën françeskane.
Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi
mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë,
ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve,
Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugat drejt Austrisë e Italisë. Nisi
të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet
e krishterimit, për arkelologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte
në letër shkrimet e para, pa harruar kurr se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi
i Ungjillit të Krishtit. U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri
me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste,
Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e
mbram! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të
gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të trija gjinitë letrare, mblodhi
këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte,
"Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për
të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa". Lista
e veprave të tij ësht shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter
hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu
Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas
asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun
e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin
për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve,
të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir
i fesë e i atdheut.