2009-07-11 18:36:53

Atë Lombardi në editorialin e fundjavës të Octava Dies, flet për “Zhvillim, dhurim falas, shpresë”.


(12.07.2009 RV)RealAudioMP3 Të martën e kaluar në Vatikan u paraqit Enciklika ‘Caritas in Veritate” e Benediktit XVI. Dokumentit Papnor, që ofron vizionin e inkurajimit për përballimin e krizës, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, i kushton editorialin në Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, titulluar “Zhvillim, dhurim falas, shpresë”.

 
“Të gjindet përsëri guximi për të ndërtuar ardhmërinë e njerëzimit, jo me shpresat e rreme të ideologjive, por me lirinë për të mbledhur në një sintezë të vetme dinamike të gjitha elementet e përvojës negative e pozitive të popujve, të reflektimeve të fushave të ndryshme, të lodhjes së mendjes. Është kjo një pjesë e mesazhit të Enciklikës së re, por e gjithë kjo do të mbetej orvajtje e kotë e shterpë, pa frymëzimin e gjallë të fesë.
“ Vërtetësia e thënë me dashuri e vë njeriun përballë përvojës mahnitëse të dhuratës” – thotë Papa. Dëshira për të dhuruar pa asnjë interes është e pranishme në jetën e tij në një mori formash… Qenia njerëzore është bërë për dhuratën, që shpreh e realizon përmasën e mbinatyrshme” (n. 34). E ky është edhe pohimi kryesor i dokumentit papnor.
Logjika e dhuratës, e dhurimit pa kurrfarë interesi, është edhe kyçi i atij ‘vëllazërimi’, në të cilin Papa shikon përvijimin e rrugëzgjidhjeve të vërteta të problemeve dramatike të familjes njerëzore në kohën e globalizimit: vazhdimit të çekuilibrimit e të urisë, por edhe zvetënimit kulturor e shpirtëror, që e cënon dinjitetin e njeriut, viktimë e zhvillimeve ekonomike, të cilat shikojnë vetëm dobinë ose e ideologjisë së pushtetit të pacak të teknikës.
Kriza, për të cilën me të drejtë sot mundohen, së bashku me ne, njerëzit që udhëheqin botën, pasojat më të rënda të së cilës rëndojnë mbi kurrizin e të varfërve, duhet të jetë rast i përshtatshëm për të rrëmuar në shpirtin tonë, për të kuptuar më thellë kush jemi e kush duhet të jemi – vëllezër, të thirrur për të dashur e për të dhuruar – e ku duam të shkojmë – përtej horizontit të mbyllur e të verbët të materies. Në se jo, globalizimi nuk do të bëhet mundësi jete, por spirale e ndërthurje skllavërish gjithnjë më dramatike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.