2009-07-10 17:56:13

Vijon, plot shpresa, dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Izraelit.


(10.07.2009 RV)Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u mblodh dje në selinë e Ministrisë izraelite të punëve të jashtme, në Jeruzalem, për të vijuar bisedimet lidhur me “Marrëveshjen ekonomike”. Në përfundim, u botua një komunikatë e përbashkët, në të cilën shkruhet se “bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të përzemërt dhe se delegacionet besojnë se dhanë një ndihmesë të ndjeshme për ta çuar përpara dialogun drejt arritjes së marrëveshjes së dëshiruar”.
Kujtojmë se në këtë takim të Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u bisedua kryesisht për mundësitë që Kisha katolike të gëzojë në Izrael siguri juridike e fiskale. Sipas Marrëveshjes së vitit 1993, të dyja palët qenë impenjuar të arrinin, lidhur me argumetet e taksave e të pronave, një mirëkuptim dypalësh. Kapitujt tashmë njihen nga të gjithë: mbrojtja e pasurisë kishtare, posaçërisht e Viseve të Shenjta; garancia e mbrojtjes gjyqësore në rast kundërshtimesh; regjim fiskal për Kishën, që ia njeh e ia ripohon të drejtat ekzistuese në çastin e krijimit të Shtetit të Izraelit; sigurime shoqërore për klerin e rregulltarët.
Në përfundim të takimit, Komisioni dypalësh botoi edhe programin për bisedimet në muajt e ardhshëm. Do të vijojnë më 26 gusht; më 15 e 16 shtator, më 14 e 15 tetor dhe më 11 e 12 dhjetor 2009, në Vatikan.
Datat e takimeve të ardhshme, shumë më të dendura se ato të së kaluarës, krijojnë bindjen se mund të shpresohet shumë për arritjen e marrëveshjes ekonomike brenda vitit.







All the contents on this site are copyrighted ©.