Nga Wilson tek Obama – një shekull audiencash të presidentëve amerikanë në Vatikan.
(10.07.2009 RV)Nderimi i Xhorxh Bushit, lotët dhe batutat e Ronald Regan-it,
protesta e antipapistëve amerikanë pas takimit të Richard Nikson-it me Palin VI: janë
të shumta e plot me kuriozitete takimet e presidentëve amerikanë me papët, që i paraprinë
takimit të sotëm të Obamës me Benediktin XVI. Obama është i 12-ti kryetar shteti në
historinë e SHBA-ve, që viziton Vatikanin e takohet me papën, aktualisht me Benediktin
XVI. Takimet e presidentëve amerikanë me papët në Vatikan janë karakterizuar gjithnjë
nga tematikat e forta e etiketa e rreptë. E bisedimet e tyre private, në njëqind vjet
histori, të gjata një orë, ose më pak, janë pasuar gjithnjë, sipas protokollit, me
shkëmbimin e dhuratave. Presidenti i parë amerikan, që shkeli në Vatikan më 9 janar
1919, ishte Woodrow Wilson, që u takua me Papën Benedikti XV. Pallati Apostolik
priti 40 vjet të gjata, para se aty të shkelte një president tjetër amerikan: e,
së fundi, në vitin 1959, në kulmin e lufës së ftohtë, pa të kapërcente Harkun e Këmbanave,
duke i dhënë fund këtij agjërimi kaq të gjatë takimesh, presidentin Dwight Eisenhower. Ndërsa
Pali VI, emëruar papë në vitin 1963, priti 4 banorë të Shtëpisë së Bardhë, ndërmjet
të cilëve, edhe presidentin e vetëm katolik, John F. Kennedy. Bisedimet e mëpasme
me Richard Nixon, më 2 mars 1969, bënë që përtej oqeanit të shpërthenin polemika të
stuhishme. Protagonisti i shkandullit të Watergate, që e nderonte thellësisht Papën
Montini, emëroi Henry Cabot Lodge emisar personal pranë Vatikanit. Ky emërin e ndau
më dysh Amerikën, e cila prej më se një shekulli nuk kishte marrëdhënie diplomatike
me Selinë e Shenjtë. Masonët e protestantët u zemëruan keq; e deri strategu Henry
Kissinger ishte mëdyshas. Por Nixon nuk ndryshoi mendim, duke e konsideruar Papën
si njeri të pazëvendësueshëm për stabilitetin botëror. I vetmi president amerikan,
që u takua me Benediktin XVI, ështe Gorge W. Bush, i cili bisedoi dy herë me Papën:
biseda e fundit, në qershor 2008. Gjatë takimit të parë, Bush bëri një gabim të vogël,
duke e quajtur Papën thjesht ‘sir” , ‘zotëri’ e jo Atë i Shenjtë ose Shenjtëria Juaj. Paraardhësi
i Obamës ka qenë edhe presidenti i fundmë që u takua me Gjon Palin II, më 4 qershor
2004. Papa Vojtila, gjatë bisedimit, nuk u ngrit asnjëherë nga froni, sepse tejet
i shqetësuar prej sëmundjes së parkinsonit. Bushi ishte përgatitur për një audiencë
të vështirë, pas kundështimit të vendour të Selisë së Shenjtë për sulmin amerikan
në Irak. Vizita qe e shkurtër e me vizione të ndryshme. Dy takimet në Vatikan
ndërmjet Papës Gjon Pali II e Ronald Regan-it, i cili në të dyja rastet arriti me
kadillak të zi, dallohen për hollësi jashtë programit, ndërmjet të cilave, hollësitë
e takimit të vitit 1987. Në këtë audiencë, një zyrtar i ri, që shoqëronte Regan-in,
duke pasë lidhur në pulsin e djathtë me një zinxhir çeliku valixhen e famshme të zezë,
me kodet tejet sekrete, që duheshin përdorë në rast të një sulmi të papritur atomik,
habitshëm, zgjati dorën e majtë e jo të djathtën, sipas etiketës, për të marrë medaljen
e argjendtë, që Papa po u dhuronte anëtarëve të grupit shoqërues të presidentit amerikan.