Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) shqyrton sot kërkesën ankimore të Partisë Socialiste
për qarkun e Fierit.
(10.7.2009 RV)Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) shqyrton sot pasdite
kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për rivlerësim dhe rinumërim të votave në
katër KZAZ të qarkut të Fierit. Një ditë më parë KQZ vendosi të shqyrtojë
kërkesën e socialistëve për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit të
9 QV, të cilat janë depozituar në KQZ prej disa ditësh. Në ankimimin
e saj për Fierin, PS ka paraqitur 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve
të ndërmjetme që këto katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse
të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të votave dhe përfshirjen
e tyre në rezultatin final të të gjithë qarkut. Sipas rezultateve paraprake
të KQZ-së në zgjedhjet e qershorit në qarkun e Fierit koalicioni i djathtë "Aleanca
e Ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" 8 mandate
dhe koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" 1 mandat.