Duke shfletuar kalendarin, me 10 Korrik Kisha përkujton Shën Rufina e Shën Sekonda,
martire
(10.7.2009 RV)Të dhënat që kemi për martirizimin e Rufinës e të Sekondës përkojnë
plotësisht. Të dënuara, nën Valerianin e Galenin, nga prefekti Gjunio Donati, u martirizuan
në Romë në miljen e dhjetë të rrugës Kornelia. Sipas traditës, shenjtoret ishin motra
e të fejuara me dy të rinj të krishterë. Pasi të fejuarit e mohuan fenë, vashat
bënë kushtin e virgjërisë së përjetshme, gjë që të rinjtë nuk deshën ta pranojnë në
asnjë mënyrë. Si nuk ia dolën mbanesh t’i bënin për të hequr dorë nga feja, e aq më
pak nga kushti i virgjërisë, të rinjtë i paditën ish-të fejuarat si të krishtera.
E ato e pranuan publikisht fenë në Krishtin. I çuan, atëherë, në miljen e dhjetë
të rrugës Kornelia, në një zonë të quajtur Buxo (sot Boçea), ku Rufinës i prenë kokën,
ndërsa Sekondën e rrahën për vdekje. Kjo skenë, e pikturuar nga tre piktorë të shquar,
ruhet në Pinakotekën e Brerës, në Milano. Trupat e virgjërave u lanë mbi dhe
që të shqyheshin nga egërsirat, por një matronë romake, me emrin Plautila, si i pa
në ëndërr martiret, të cilat i treguan vendin e martirizimit, i mori reliket e tyre
e i varrosi me nderim të thellë, duke u kthyer menjëherë në fenë e virgjërave –martire.
Mbi varrin e tyre që në shekullin IV Papa Juli I (341-353) lartoi një bazilikë,
që u rindreq më pas nga Papa Adriani I (772-795), ndërsa Papa Leoni IV (847-855) e
pasuroi me dhurata artistike të denja për emrin e martireve.