Benedikti XVI ambasadorit meksikan: liria fetare është shkëmbi, mbi të cilin bazohen
të drejtat e njeriut.
(10.07.2009 RV)Liria fetare, mbrojtja e jetës, promovimi i familjes e i solidaritetit,
ishin argumentet kryesore, që preku Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadorit
të Meksikës, Héktor Federiko Ling Altamirano, të cilin e priti sot në Vatikan për
paraqitjen e Letrave kredenciale. Shërbimi më i mirë, që mund t’i bëjnë të krishterët
shoqërisë, është kumtimi i Ungjillit, i cili ndriçon kulturën e vërtetë demokratike
dhe e orienton njeriun në kërkimin e së mirës së përbashkët: këtë nënvizoi Benedikti
XVI i cili, në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri meksikan pranë Selisë së Shenjtë,
vuri theksin mbi rëndësinë që ka feja në jetën shoqërore: “En efecto, la
libertad religiosa no es un derecho más”… Në të vërtetë – tha Papa – liria
fetare nuk është vetëm e drejtë ose privilegj i Kishës por – nënvizoi – është shkëmbi
mbi të cilin ngrihen të drejtat e njerëzore, sepse në këtë liri shprehet në mënyrë
të veçantë përmasa e mbinatyrshme e njeriut dhe paprekshmëria absolute e dinjitetit
të tij. Prandaj liria fetare nuk mund të kufizohet vetëm në shoqërinë e qytetarëve,
që e praktikojnë privatisht fenë e tyre, ose të ngushtohet thjeshtë në ushtrimin
e kultit: “A este respecto, la Iglesia católica, a la vez que sostiene e
impulsa…” Në këtë vështrim – saktësoi Papa - Kisha katolike, që mbron
e promovon vizionin e rolit tejet pozitiv të fesë në shoqëri, nuk dëshiron të ndërhyjë
në autonominë e institucioneve civile. Nga ana tjetër – shtoi - Kisha dhe bashkësia
politike janë e duhet të jenë, secila sipas detyrës së vet, në shërbim të jetës personale
e shoqërore të qytetarëve. Shprehu, më pas, kënaqësinë, për autonominë reciproke dhe
bashkëpunimin e plotë ndërmjet Kishës e Shtetit, duke pasur parasysh edhe vendin e
rëndësishëm që zë feja në historinë e Meksikës. Por Ati i Shenjtë nuk harroi të
vinte theksin edhe mbi problemet e ndërklikuara, që vijojnë ta trondisin vendin latino-amerikan:
që nga ushtrimi i dhunës, tek trafiku i drogës; nga pabarazia, tek varfëria. Për t’i
përballuar këto sfida – siguroi Papa – shoqëria meksikane mund të mbështetet gjithnjë
në bashkëpunimin e në solidaritetin e Kishës katolike. Më pas Benedikti XVI pohoi
se mjetet e teknikës ose të sigurisë, nuk janë të mjaftueshme për të gjetur rrugëzgjidhje
të suksesshme e të qëndrueshme. Është e nevojshme – nënvizoi – të punohet për përtëritjen
morale; për edukimin e ndërgjegjeve, për krijimin e kulturës së vërtetë të jetës: “Nunca
se insistirá bastante en que el derecho a la vida…” Nuk është kurrë e tepërt
të ngulësh këmbë – theksoi - se e drejta për të jetuar duhet njohur në të gjithë shtrirjen
e saj. Njeriu meriton respekt e solidaritet nga zënia, në vdekjen e natyrshme. E ky
respekt duhet mbrojtur me ligje të drejta politike, që e kanë mirë parasysh vlerën
e njeriut në çdo çast të jetës së tij. Benedikti XVI ripohoi edhe se identiteti meksikan
u farkëtua në rrjedhë shekujsh me mesazhin e shëlbimit, kumtuar nga Kisha katolike: “La
fe en Jesucristo ha engendrado en México…” Besimi në Krishtin – kujtoi
– bëri që në Meksikë të lindte kultura e shpresës, nga e cila burojnë parimet për
zhvillimin e shoqërisë, mbrojtja e drejtësisë, përpjekjet për sigurimin e paqes e,
akoma, lufta kundër dhunës, kundër korrupsionit e kriminalitetit si dhe mbrojtja e
vazhdueshme e jetës së njeriut dhe e dinjitetit të tij. Papa kujtoi edhe Takimin
botëror të familjeve, që u mbajt kohët e fundit në Qytetin e Meksikos, duke ripohuar
se familja, e bazuar mbi martesën, është qelizë bazë e indit shoqëror.