2009-07-09 12:40:57

Takimi i sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave ipeshkvnore të Evropës mbi Meshtarinë e enciklikën e re Caritas in Veritate.


(09.7.2009 RV)Të nesërmen e botimit, enciklika e re shoqërore e Papës Benediktit të XVI, ‘E Vërteta me Dashuri’, është në qendër të reflektimit të sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës në takimin që filloi sot e do të zgjas deri më 13 korrik në Leopoli të Ukrainës.
Takimi i përvitshëm është organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) e zhvillohet me ftesën e përbashkët të Konferencës ipeshkvnore të Ukrainës (ritit kishtar latin) e të Sinodit të ipeshkvijve të Kishës greko-katolike ukrainase ( të ritit kishtar bizantin).
Në Vitin Meshtarak të shpallur nga Papa Benedikti XVI, njëra prej dy temave qendrore të takimit 2009 është pikërisht ‘Meshtari: jeta e tij dhe misioni i tij”. Tema tjetër do të jetë enciklika e re shoqërore e Atit të Shenjtë Jozef Racinger Caritas in Veritate, me një reflektim hyrës nga At Hans Langendorfer, jezuit, sekretar i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore gjermane.
Takimi u hap me paraqitjen e Kishës katolike në Ukrainë. Në këtë sesion mori pjesë edhe Lumturia e Tij kardinali Lubomir Husar, kryeipeshkëv i madh i Kievit dhe i Galicisë. Më pas tema mbi marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës ortodokse u trajtua nga Nunci apostolik në Ukrainë, imzot Ivan Jurkoviç.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit do të diskutojnë mes tjerash edhe mbi tema të aktualitetit si: eutanazia dhe rasti i Eluana Englaro në Itali; prania e Kishës në mediat dhe Dita e ardhshme Botërore e Rinisë në Madrid në vitin 2011, si dhe sfidat tjera që Kisha ka para vetes në këtë kohë të relativizmit etik e që kërkojnë nga ana e Konferencave ipeshkvnore një vëmendje të posaçme. Në këtë drejtim, përfshihet edhe marrëdhënia me Institucionet evropiane që do të trajtohet nga sekretari i përgjithshëm i COMECE, don Piotr Mazurkiewicz.
Së fundi, Sekretarët e përgjithshëm të Konferencave ipeshkvnore të Evropës do të informohen mbi aktivitetin në zhvillim e sipër dhe për vitin 2010 të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) e të komisioneve të veçanta të këtij organizmi kishtar evropian.
Kujtojmë se takimi zhvillohet me dyer të mbyllura dhe në përfundim do të shpërndahet një deklaratë mbi mbarimin e punimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.