2009-07-09 11:16:52

Sot me 9 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Adrianin III papë.


(09.07.2009 RV)RealAudioMP3 Shën Adriani III, i pagëzuar me emrin Agapito, qe Papë ndërmjet viteve 884-885. Të pakta janë të dhënat për jetën e tij. Dihet se lindi në Romë, se u zgjodh papë më 17 maj 884 e se papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira.
Vdiq në Spilamberin e sotëm, pranë qytetit italian Modena, në shtator të vitit 885, ndërsa ishte në shtegtim drejt Uormsit, pasi qe thirrur nga Karli III, mbret i frankëve, për të siguruar vazhdimësinë e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe për të diskutuar lidhur me rrezikun e saraçenëve, që vijonin të forcoheshin, duke krijuar kërcënime të reja për botën e krishterë. Papa Adriani III u varros në manastirin e Nonantolës në Modena.
Dihet, gjithashtu se mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostantinopojës, Focit, por nuk dihen me saktësi shkaqet e nderimit të tij si shenjt. Këto shkaqe ndoshta duhen kërkuar në ndihmën e jashtëzakonshme që i dha Romës gjatë një periudhe kur vuante nga zija e bukës. Kulti i Shën Adrianit papë, që u kremtua sot, nis që në vitin 1891.







All the contents on this site are copyrighted ©.