2009-07-09 16:38:14

Pozitive reagimet e konferencave ipeshkvnore evropiane ndaj Enciklikës së re të Papës, “Caritas in Veritate”.


(09.7.2009 RV)Janë jashtëzakonisht pozitive reagimet e para të konferencave ipeshkvnore evropiane ndaj Enciklikës së re të Benediktit XVI, “Caritas in Veritate” kushtuar zhvillimit integral të njeriut në dashuri e në të vërtetën. “Një kontribut vendimtar për debatin aktual mbi globalizimin dhe drejtësinë”. Kështu e përcaktoi dokumentin e ri papnor të paraqitur të martën e kaluar në Vatikan, Imzot Robert Zollitsch, president i Konferencës ipeshkvnore gjermane, sipas të cilit udha e Doktrinës shoqërore katolike, duke pasur parasysh synimin e Papës, nuk është ajo e dhënies së udhëzimeve të natyrës politike ose ekonomike.
Bëhet fjalë, pohoi kryeipeshkvi i Frajburgut, për “drejtimin e ri të vështrimit mbi përmasën themelore e të harruar të zhvillimit: një zhvillim njësor (i përbashkët), i udhëhequr dhe i drejtuar nga parimet e drejtësisë e të mirës së përbashkët, që janë shprehje e dashurisë në të vërtetën”.
I të njëjtit mendim janë edhe ipeshkvijtë e Belgjikës: “Papa – lexohet në deklaratën e tyre - kërkon një reflektim të ri mbi kuptimin e ekonomisë, të synimeve e caqeve të saj, një revizion etik të modelit të zhvillimit, dhe u përkujton njerëzve se një ekonomi botërore që zhvillohet jashtë vlerave morale, është e paracaktuar të kthehet në një udhë pakrye.
Pa rënë në lojën e politikës partizane – nënvizon deklarata – Kisha nuk synon t’i shërbejë kapitalizmit të egër, nuk propozon zgjidhje teknike e nuk do të hyj në vendimet e Shteteve, por ka misionin e së vërtetës për të kryer në dobinë e një shoqërie që i përgjigjet njeriut, dinjitetit të tij. Nuk ekziston një zhvillim i plotë e as e mira e përbashkët universale pa të mirën shpirtërore e morale të njerëzve, duke marrë parasysh integritetin e tyre të shpirtit e trupit”.
Kardinali André – Vingt-Trois, kryeipeshkëv i Parisit e president i Konferencës ipeshkvnore franceze, flet për “një mesazh të jashtëzakonshëm shprese, drejtuar katolikëve e të gjithë njerëzve vullnetmirë që janë të interesuar të reflektojnë mbi çështjet të nxitura nga feja e krishterë.
Sipas kardinalit francez, dy janë “pikat posaçërisht domethënëse” të dokumentit papnor: pohimi sipas të cilit “asnjë fushë e aktivitetit njerëzor nuk i ikën përgjegjësisë morale” dhe “reflektimi mbi globalizimin e marrëdhënien e tij me zhvillimin”.
Edhe ipeshkvijtë irlandezë e përshëndesin me kënaqësi enciklikën e re të Atit të Shenjtë: “Doktrina shoqërore e Kishës –shkruajnë – buron nga dinamike e dashurisë së dhuruar dhe e pranuar përmes marrëdhënies sonë me Zotin e me të afërmin tanë”. Ndër pikat kryesore të dokumentit, përveç sfidës së globalizimit, ipeshkvijtë irlandezë nxjerrin në pah “mbrojtjen e natyrës, të mjedisit, të drejtën e ushqimit, të ujit e të jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.