2009-07-08 18:58:11

Globalizim, që i përgjigjet njeriut: përmbledhje e Enciklikës së Benediktit XVI “Caritas in Veritate”, për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.


(08.07.2009 RV)“E vërteta, për të cilën Jezusi u bë dëshmitar, e thënë me dashuri: kjo është forca që vë në lëvizje zhvillimin e njëmendtë të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit”: nis kështu ‘Caritas in Veritate’, Encilklika e Papës Benedikti XVI kushtuar zhvillimit të gjithanshëm të njeriut, drejtuar botës katolike dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. U paraqit të martën, më 7 korrik, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Po e përmbledhim shkurtimisht Dokumentin papnor, në të cilin çdo njeri e çdo vend mund të gjejë vetveten.

Hyrje Papa kujton se ‘dashuria është rruga kryesore e doktrinës së Kishës” . Por, duke pasur parasysh rrezikun se mund të keqkuptohet ose mund të përjashtohet nga përvoja jetësore, duhet bashkuar me të vërtetën. E vëren: “Krishterimi me dashuri, por pa vërtetësi, mund të shndërrohet lehtësisht në rezervë ndjenjash të mira, të nevojshme për jetën shoqërore, por të dorës së dytë”. (1-4)
Zhvillimi ka nevojë për të vërtetën. Pa të – pohon Papa – “veprimtaria shoqërore bie nën pushtetin absolut të interesave e të logjikave të forcës, me pasoja dërmuese për shoqërinë”. (5). Benedikti XVI ndalohet tek dy kritere orientuese të natyrës morale, që rrjedhin nga parimi i thënies të së vërtetës me dashuri: drejtësia dhe e mira e përbashkët. Çdo i krishterë është i thirrur të vërë në plan të parë dashurinë në të gjitha veprimtaritë, edhe përmes rrugës institucionale, që ndikon në jetën e polis-it, në mënyrën shoqërore të jetesës. (6-7) Kisha – ripohon Papa – nuk ka rrugëzgjidhje teknike për të ofruar, por ka misionin për të thënë të vërtetën, për të ndihmuar, kështu, në ndërtimin e një shoqërie, që i përgjigjet kërkesave të njeriut, dinjitetit të tij, misionit të tij në jetë”.

Kapitulli i parë i kushtohet Mesazhit të Enciklikës Populorum Progressio të Palit VI. “Pa perspektivën e jetës së amshuar – nënvizon Papa – progresi njerëzor në këtë botë mbetet pa frymë”. Pa Zotin, zhvillimi mohohet, çnjerëzohet”. (10-12)
Pali VI – shkruhet – ripohoi “rëndësinë e pamohueshme të Ungjillit për ndërtimin e shoqërisë mbi bazën e lirisë e të drejtësisë”. (13) Në Enciklikën Humanæ Vitæ, Papa Montini flet për lidhjet e forta ndërmjet etikës së jetës e etikës së shoqërisë”. Edhe sot “Kisha e propozon me forcë këtë lidhje”. (14-15) Papa shpjegon konceptin e thirrjes, që është i pranishëm në Populorum Progressio . “Zhvillimi është thirrje, sepse lind nga një thirrje e mbinatyrshme”. E është vërtetë i gjithanshëm – nënvizon – kur përpiqet për përparimin e çdo njeriu e të njeriut në tërësi”. “Feja e krishterë – shton – merret me zhvillimin, pa u mbështetur tek privilegjet as tek postet në pushtet”, “por vetëm tek Krishti”. (16-18) Papa vë në dukje se ‘shkaqet e prapambetjes nuk janë kryesisht të natyrës materiale. Janë, mbi të gjitha, në vullnetin, në mendimin e akoma më shumë, në mungesën e vëllazërimit ndërmjet njerëzve e popujve”. “Shoqëria, gjithnjë më e globalizuar – thekson - na bën të afërt, por jo vëllezër”. Atëherë duhet të mobilizohemi, që ekonomia të evoluojë drejt rezultateteve plotësisht njerëzore”. (19-20)

 
Në kapitullin e dytë, Papa shtjellon “Zhvillimin njerëzor në kohën tonë”. Qëllimi i përfitimit “që përjashton arritjen e të së mirës së përbashkët, si cak i fundmë – vëren – krijon rrezikun të shkatërrojë pasurinë e të krijojë varfëri”. E numëron disa nga shtrembërimet kryesore të zhvillimit: veprimtarinë financiare spekulative, flukset e emigrantëve, “shpesh herë të provokuara” e pastaj të keqtrajtuara e, akoma, “shfrytëzimin e parregullt të burimeve të tokës”. Përballë problemeve të tilla, që ndërlidhen njëri me tjetrin, Papa kërkon “një sintezë të re humanistike”. “Kriza na detyron ta riprojektojmë rrugën tonë”. (21)
Zhvillimi - konstaton Papa, sot është ‘policentrik”. “Rritet pasuria botërore në caqe absolute, por thellohen pabarazitë e lindin varfëri të reja. Korrupsioni – vijon të vërejë Papa – është i pranishëm në vendet e varfëra e të pasura; vërehet se nganjëherë sipërmarrjet e mëdha transkombëtare nuk i respektojnë të drejtat e punëtorëve. Por ka edhe më: “Ndihmat ndërkombëtare shpesh përdoren për qëllime krejt të tjera, nga ato, për të cilat ishin caktuar, për shkak të mungesës së plotë të përgjegjësisë së donatorëve e të përfituesve. Njëkohësisht - denoncon Papa – ka forma të tepruara të mbrojtjes së dijes nga ana e vendeve të pasura, të cilat tregohen tejet të shtrënguara, kur është fjala për ruajtjen e pronësisë intelektuale, posaçërisht në fushën e shëndetësisë”. (22)
“Pas përfundimit të ‘blloqeve – kujton Benedikti XVI – Gjon Pali II pati kërkuar një projektim të ri global të zhvillimit”, por “ky u realizua vetëm pjesërisht”. Sot vërehet një vlerësim i ri i rolit të pushtetit publik të shtetit” e është për t’u uruar që shoqëria civile të marrë pjesë në politikën kombëtare e ndërkombëtare.
Më pas Papa e drejton vëmendjen tek delokalizimi i prodhimeve me çmim të ulët nga ana e vende të pasura. Procese të tilla – qorton Benedikti XVI – kanë çuar në kufizimin e rrjeteve të sigurisë shoqërore, duke rrezikuar rëndë të drejtat e punëtorëve. “Kësaj i shtohen edhe prerjet e shpenzimit shoqëror, shpesh herë edhe nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, gjë që i lë qytetarët krejt të pambrojtur, përballë rreziqeve të vjetra e të reja. Nga ana tjetër vërehet se qeveritë, për arsye të nevojave ekonomike, kufizojnë gjithnjë më shpesh liritë sindikale”. Këtu Papa u kujton qeveritarëve se ‘kapitali i parë që duhet mbrojtur e duhet vlerësuar, është njeriu, personi në gjithanshmërinë e tij”. (23-25)
Në planin kulturor – vijon - mundësitë e ndërveprimtarisë hapin perspektiva të reja dialogu, por krijojnë edhe një rrezik të dyfishtë. Në radhë të parë, rrezikun e eklektizmit kulturor, sipas të cilit kulturat konsiderohen thelbësisht si të barazvlefshme. Rreziku i kundërt është “rrafshimi kulturor”, “miratimi i stileve të njëllojta të jetës”. (26)
Më pas Papa flet për shkandullin e urisë. Mungon- denocon Ati i Shenjtë – përgatitja e institucioneve të afta për ta përballuar këtë emergjencë. Uron më pas, që të hapen kufij të rinj në teknikën e prodhimit bujqësor e të realizohet një reformë e drejtë agrare ndër vendet e prapambetura. (27)
Benedikti XVI nënvizon me forcë se “respekti për jetën nuk mund të shkëputet në asnjë mënyrë nga zhvillimi i popujve. Në vende të ndryshme të botës - vëren – nuk hiqet dorë nga praktikat e kontrollit demografik, që arrijnë deri në atë pikë, sa të imponojnë edhe abortin. Në vendet e zhvilluara është përhapur një mendësi, që i kundërvihet lindjes së fëmijëve. E kjo mendësi po përçohet edhe në shtete të tjera, si të ishte progres kulturor”. Përveç kësaj, dyshohet me të drejtë se nganjëherë edhe vetë ndihmat për zhvillim lidhen me “politika shëndetësore, që imponojnë kontrollin e lindjeve”. Shqetësuese janë edhe ligjet që lejojnë eutanazinë”. “Kur një shoqëri shkon drejt mohimit e këputjes së jetës – vëren – nuk është më e aftë të gjejë “arsye e energji për t’i shërbyer së mirës së vërtetë të njeriut”. (28)
Një aspekt tjetër i zhvillimit, është edhe e drejta për lirinë fetare. Dhuna – shkruan Papa – “e frenon zhvillimin e vërtetë, gjë që lidhet sidomos me terrorizmin me sfond fondamentalist”. Njëkohësisht, përkrahja e ateizmit nga ana e shumë vendeve “i kundërvihet nevojës që kanë popujt për zhvillim, sepse ua shterron burimet shpirtërore e njerëzore”. (29) Për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit – vijon Papa – duhet siguruar ndërveprimtaria e fushave të ndryshme të dijes, të harmonizuara nga dashuria”. (30-31)
Papa uron që rrugët, në të cilat po ecën aktualisht ekonomia, të kenë edhe në vijim, në plan të parë, sigurimin e punës për të gjithë. Benedikti XVI e paralajmëron njerëzimin që të ruhet nga një ekonomi “me afate të shkurtëra e nganjëherë, tepër të shkurtëra”, që përcakton rënien e nivelit të mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve, për t’u siguruar vendeve të ndryshme aftësi më të shumta konkurence në arenën ndërkombëtare”. Prandaj nxit “për korrigjimin e çrregullimeve të modelit të zhvillimit, gjë që sot e kërkon edhe gjendja e shëndetit ekologjik të planetit”. E e përfundon kështu mendimin kushtuar globalizimit: “Në se njerëzimi nuk e thotë të vërtetën me dashuri, kjo rrugë në të cilën ecën planeti, mund të krijojë rrezikun e dëmeve të panjohura deri tani e të përçarjeve të reja. Është i nevojshëm, prandaj, një impenjim i pashembullt e krijues”. (32-33)

“Vëllazëria, zhvillimi ekonomik e shoqëria civile” është tema e kapitullit të tretë të Enciklikës, që nis me lavdërimin e përvojës së dhurimit, e cila shpesh nuk njihet fare “ për shkak të vizionit, që shikon vetëm prodhimin e dobinë”. Bindja, sipas së cilës ekonomia duhet të jetë e pavarur nga ndikimet e karakterit moral – nënvizon Papa – e ka shtyrë njeriun në shpërdorimin e mjetit ekonomik, nganjëherë edhe në mënyrë shkatrrimtare”. Zhvillimi “në se dëshiron të jetë vërtetë njerëzor”, duhet ‘t’i krijojë hapësirat e duhura parimit të dhurimit pa asnjë interes”. (34) E kjo vlen në mënyrë të veçantë për tregun.
“Pa forma të brendshme të solidaritetit e të besimit reciprok – mendon Papa – tregu nuk mund ta luajë plotësisht rolin e tij ekonomik”. “Tregu – ripohon – nuk mund të mbështetet vetëm mbi vetveten”, “duhet të thithë energji morale edhe nga subjekte të tjera” e “nuk duhet t’i konsiderojë të varfërit si barrë të rëndë e të padurueshme, por si burim pasurie”. Tregu nuk duhet bërë “shesh i padrejtësive të të fortit kundër të ligshtit” pohon - e shton: “Logjika e tregut duhet të ketë si qëllim t’i shërbejë së mirës së përbashkët, për të cilën duhet të punojë posaçërisht bashkësia politike”. Papa saktëson edhe se tregu nuk është negativ për natyrën e tij, por mund të bëhet negativ, për shkak të qëllimeve për të cilat përdoret. Prej këndej, theksohet se “gjithçka është në dorë të njeriut, të vetëdijes së tij morale e të përgjegjësisë së tij”.
Kriza aktuale – përfundon Papa – tregon se “parimet tradicionale të etikës shoqërore – transperenca, ndershmëria e pergjegjësia – nuk mund të lihen në harresë”. Njëkohësisht kujton edhe se ekonomia nuk e zhduk rolin e shteteve e ka nevojë për “ligje të drejta”. Duke kujtuar Enciklikën Centesimus Annus, thekson “nevojën për një sistem me tre subjekte: treg, shtet e shoqëri civile dhe inkurajon shoqërizimin e ekonomisë”. “Duhen krijuar forma ekonomike solidare”. “Tregu e politika kanë nevojë për njerëz, që e dinë ç’do me thënë dhuratë reciproke”. (35-39)
“Kriza aktuale - shënon – kërkon edhe ndryshime të thella të sipërmarrjeve. Drejtimi i tyre nuk mund të vihet vetëm në shërbim të interesave të pronarëve, por duhet të shikojë edhe interesat e bashkësisë lokale”. Papa kujton këtu menaxherët, të cilët shpesh u përgjigjen vetëm udhëzimeve të aksionistëve dhe i fton të heqin dorë nga përdorimi ‘spekulativ’ i burimeve financiare. (40-41)
Kapitulli mbyllet me vlerësimin e fenomenit të globalizimit, i cili nuk duhet kuptuar vetëm si proces shoqëroro –ekonomik. Nuk duhet të jemi viktima, por protagonistë – nxit Ati i Shenjtë – “por rrugën duhet ta vijojmë me mend, të udhëhequr nga dashuria e nga vërtetësia”. Globalizimi ka nevojë për një drejtim kulturor personalist e komunitar, që i hap rrugën Zotit e që është i aftë t’i korrigjojë gabimet”. “Ekzistojnë – shton – mundësi për një rindarje të madhe të pasurisë”, por çrregullimet, pasojë e mirëqenies, nuk duhen frenuar me projekte egoistike e proteksionistike”. (42)

 
Në kapitullin e katërt Enciklika merret me temën e “Zhvillimit të popujve, të drejtat e detyrat dhe problemet e ambientit”. Shikojmë se shoqëritë e pasura – vëren Papa – besojnë se kanë të drejtë të bëjnë edhe shpenzime të kota, pa marrë fare parasysh se në vendet e prapambetura të tjerëve u mungon një kafshatë bukë e një pikë ujë. Të drejtat individuale, të shpenguara nga kuadri i detyrave – nënvizon – nuk mund të mos pësojnë çrregullime serioze. “Të drejtat e detyrat – saktëson - na çojnë tek një kuadër etik. Por në se marrja e vendimeve bazohet mbi një bashkësi qytetarësh, këto vendime mund të ndryshohen në çast, sipas dëshirave të kësaj bashkësie”. Qeveritë e organizmat ndërkombëtare nuk duhet të harrojnë se të drejtat janë objektive e nuk mund të varen nga dëshirat e askujt. (43) Për këtë, Papa ndalet tek problematikat, që lidhen me rritjen e numrit të popullsisë. “Është e parregullt - pohon- ta konsiderosh rritjen e popullsisë si shkak parësor të prapambetjes. Ripohon se seksualiteti nuk mund të shikohet thjeshtë si dëfrim a si lojë. E aq më pak mund të rregullohet me politika materialistike të planifikimit të detyruar të lindjeve”. Nënvizon, më pas, se detyra morale e njeriut është t’i hapë rrugën krijimit të jetëve të reja, që duhen parë edhe si pasuri shoqërore e ekonomike”. Shtetet – shkruan – “janë të thirrura të miratojnë politika, që e vënë familjen në qendër të zhvillimit.”(44)
Ekonomia – ripohon akoma – ka nevojë për etikë, që të funksionojë si duhet; jo për çfarëdo lloj etike, por për një etikë, që është mike e njeriut. Vënia e njeriut në qendër të vëmendjes – vijon – duhet të jetë parim udhëheqës në të gjitha ndërhyrjet e bashkësisë ndërkombëtare për zhvillim, në të cilat ata që përfitojnë, duhet të marrin pjesë aktive. “Organizmat ndërkombëtare – nxit Papa – duhet ta pyesin veten mbi rezultatet e aparateve të tyre burokratike, të cilat shpesh kushtojnë tepër shtrenjt”. “Ndodh nganjëherë – vëren – që të varfërit shërbejnë për të mbajtur në jetë organizata burokratike me shpenzime tejet të mëdha”. Prej këndej, kërkesa për transparencë të plotë lidhur me fondet që merren”. (45-47)
Paragrafët e fundmë të kapitullit i kushtohen ambjentit. Për besimtarin, natyra është dhuratë e Hyjit, që duhet përdorur me përgjegjësi. Në këtë kuadër, Papa ndalohet tek politikat energjitike. “Akaparimi i burimeve nga ana e shteteve ose grupeve të fuqishme - denoncon - është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e vendeve të varfëra”. “Prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet të gjejë rrugë institucionale për të disiplinuar shfrytëzimin e burimeve të parinovueshme. Shoqëritë teknologjikisht të përparuara - shton – mund e duhet t’i pakësojnë kërkesat e tyre energjitike, ndërsa duhet të ecë përpara kërkimi i energjive alternative”.
Në fund – nxit Benedikti XVI – “është i nevojshëm një ndryshim real i mendësisë, që na çon në kërkimin e stileve të reja të jetës”, duke pasur mirë parasysh se stili i sotëm, në shumë vise të botës, ndikohet fuqimisht nga hedonizmi e konsumizmi. Problemi më i rëndësishëm – vijon - janë detyrimet morale të shoqërisë. E vëren: “Në se nuk respektohet e drejta për jetën e për vdekjen e natyrshme, ndërgjegjja e njeriut e humbet konceptin e ekologjisë njerëzore e jo më pak, atë të ekologjisë ambientale”. (48-52)

“Bashkëpunimi i familjes njerëzore “ është zemra e kapitullit të pestë, në të cilin Benedikti XVI vë në dukje se “zhvillimi i popujve varet mbi të gjitha nga pranimi i faktit se mbarë njerëzit formojnë një familje të vetme”. “Në këtë drejtim feja e krishterë mund të japë një kontribut të madh për zhvillimin, vetëm në se Zoti gjen vend edhe në jetën publike”. “Me mohimin e së drejtës për ta praktikuar publikisht fenë, fytyra e politikës bëhet mbytëse e agresive”. E Papa vëren akoma: “Laicizmi e fanatizmi çojnë në humbjen e mundësisë për dialog të frytshëm ndërmjet arsyes e fesë. E kjo shkëputje kushton shumë shtrenjt lidhur me zhvillimin e njerëzimit”. (53-56)
Papa kujton edhe parimin e subvencionimit, që i jep ndihmë njeriut përmes autonomisë së personave ndërmjetës. Subvencionimi, apo ndihma - shpjegon –është ilaçi më i efektshëm kundër çdo lloj forme të asistencializmit paternalist e shërben fuqimisht për t’i dhënë fytyrë njerëzore globalizimit. Ndihmat ndërkombëtare – konstaton – “nganjëherë mund ta katandisin një popull në gjendje vartësie”, prandaj duhen shpërndarë duke aktivizuar subjektet e shoqërisë civile e jo vetëm qeveritë. “Tepër shpesh ndihmat janë përdorur vetëm për të krijuar tregje anësore për prodhimet e vendeve të prapambetura”- pohon. (57-58) I nxit, më pas, shtetet, t’i caktojnë më shumë kuota prodhimit të brendshëm brut (PIL) për zhvillimin, duke respektuar zotimet e marra. E, në vijim, uron “më shumë kujdes për shkollimin e sidomos, për formimin e gjithanshëm të njeriut”, dhe nënvizon se, duke iu nënshtruar relativizmit, bëhemi gjithnjë më të varfër. Një shembull – shkruan – na e jep turizmi seksual . “Është e dhimbshme të vërehet – nënvizon – se gjithë kjo ndodh shpesh herë me dorëzaninë e qeverive lokale, me heshtjen e atyre të vendeve nga nisen turistët e me bashkëfajsinë e shumë punonjësve të sektorit”.(56-61)
Përballon, pastaj, fenomenin e mprehtë e aktual të emigracionit. “Asnjë vend – kujton - nuk është në gjendje t’i përballojë i vetëm problemet e emigracionit”. Secili emigrant – shton - është person njerëzor, me të drejta të cilat duhen respektuar në çdo situatë”. Papa kërkon që “punonjësit e huaj të mos shikohen si mall dhe nënvzon lidhjen e ngushtë ndërmjet varfërisë e papunësisë”. Benedikti XVI dëshiron që të gjithë të kenë një punë të përshtatshme, prandaj i fton sindikatat, ndryshe nga politika, të mos i harrojnë punëtorët e vendeve, ku të drejtat shoqërore merren nëpër këmbë”. (62-64)
Financa – përsërit – “pas përdorimit të saj të keq, që dëmtoi ekonominë reale, duhet të bëhet rishtas mjet në shërbim të zhvillimit”. E shton: “Punonjësit e financës duhet të rizbulojnë bazën etike të veprimtarisë së tyre, në kuptimin më të ngushtë të kësaj fjale. Papa kërkon edhe përdorimin e këtij sektori në shërbim të subjekteve më të ligështa. (65-66)
Paragrafin e fundit të kapitullit, Papa ia kushton urgjencës së reformimit të OKB-së dhe arkitekturës ekonomike e financiare ndërkombëtare. “Ndjehet fuqimisht urgjenca për një “Autoritet politik botëror” që të mbështetet në mënyrë të palëkundshme mbi parimet e ndihmës e të solidaritetit”. Një autoritet – pohon - që gëzon ‘pushtet të njëmendtë”. E përfundon me thirrjen që të krijohet një shkallë më e lartë e rendit ndërkombëtar, për të qeverisur globalizimin”. (67)

 
Kapitulli i gjashtë e i fundit përqendrohet tek ‘Zhvillimi i popujve dhe teknika”. Papa e fton njerëzimin të mos gënjehet nga premtimet, sipas të cilave njeriu mund t’i përmbushë të gjitha dëshirat, duke u mbështetur mbi “mrekullitë e teknologjisë”. Teknika – tërheq vëmendjen Papa – nuk mund të ketë ‘liri absolute’, dhe shton se “procesi i globalizimit mund t’i zëvendësojë ideologjitë me tenikën”. (68-72) Të lidhura ngushtë me zhvillimin teknologjik janë edhe mjetet e komunikimit shoqëror, të thirrura për të mbrojtur dinjitetin e njerëzve e të popujve”. (73)
Fusha parësore “e luftës kulturore ndërmjet absolutizmit të teknicitetit dhe përgjegjësisë morale të njeriut sot është ajo e bioetikës” – shpjegon Papa e shton: “Arsyeja pa fe është e paracaktuar të humbasë, për shkak të besimit të rremë në gjithëpushtetit të saj”. Prej këndej – shpjegon – “çështja shoqërore’ bëhet ‘çështje antropologjike”. “Kërkimet shkencore mbi embrionet, klonimi - thotë me keqardhje - pranohen me entuziazëm nga kultura aktuale, e cila beson se ka arritur të zbulojë çdo mister”. E ajo që e shqetëson më shumë Atin e Shenjtë, është rreziku i “planifikimit sistematik eugjenetik të lindjeve”. (74-75) Ripohohet, prandaj, se zhvillimi duhet parë edhe në këndvështrimin shpirtëror, e jo vetëm në atë material. Së fundi, Ati i Shenjtë i fton të gjithë të kenë një “zemër të re”, për të kapërcyer vizionin materialistik të ngjarjeve njerëzore”. (76-77)
Në përfundim të Enciklikës, Benedikti XVI nënvizon se zhvillimi “ka nevojë për të krishterë me krahë të lartuar drejt qiellit, në gjestin e lutjes”, “për dashuri e falje”, “për mohimin e vetvetes”, “për mikpritjen e të afërmit, “për drejtësi e paqe”.(78-79)







All the contents on this site are copyrighted ©.