2009-07-08 18:58:37

Botohet Motu proprio “Ecclesia unitatem”, me të cilën Papa riorganizon Komisionin Papnor “Ecclesia Dei”, ngarkuar për problemet me lefevrianët.


(08.07.2009 RV)RealAudioMP3 Me Motu proprion Ecclesia unitatem”(Uniteti i Kishës), që mban datën 2 korrik, por e u bë e njohur sot, Benedikti XVI riorganizoi Komisionin Ecclesia Dei, ngritur nga Gjon Pali II menjëherë pas shkishërimit të kryeipeshkvit Marsel Lefevrë dhe të katër ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X, shuguruar nga prelati francez pa mandat papnor. Sipas organizimit të ri, Komisioni lidhet ngushtë me Kongregatën për Doktrinën e Fesë, prefekti i së cilës, kardinali Uiljam Jozef Levada - u emërua me këtë rast, kryetar i të njëjtit komision.
“Vendimi u mor për të treguar kujdesin atëror ndaj Vëllazërisë së Shën Piut X, me qëllim që të arrihet bashkimi i plotë me Kishën”. Kjo theksohet në Motu proprio-n, që është vijim i Motu proprios-s Summorum Pontificum, të vitit 2007. Përmes këtij dokumenti, Benedikti XVI e riorganizon në tri pika kryesore Komisionin e ngritur nga Papa Vojtila: së pari, kryetar i Komisionit është prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Së dyti, struktura e re do të ketë kryetarin dhe punonjësit e saj. Së treti, kryetari e sekretari do t’ia nënshtrojnë studimit e gjykimit të dikasterit për Doktrinën e Fesë, çështjet kryesore me karakter doktrinor. E kjo, sepse – pohon Bendikti XVI - problemet që linden me bashkësinë e Shën Piut X janë pikërisht të natyrës doktrinore e derisa të sqarohen, do t’i pengojnë meshtarët e Vëllazërisë të kenë statusin kanonik në Kishë e ta ushtrojnë në mënyrë të ligjshme e misionin e tyre.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.