2009-07-07 17:10:29

Paraqitet Enciklika ‘Caritas in Veritate”. Kardinali Martino: ofron një vizion inkurajues për përballimin e krizës.


(07.07.2009 RV)RealAudioMP3 U paraqit sot paradite pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, në një konferencë, në të cilën morën pjesë një numër i madh gazetarësh, ardhur nga mbarë bota, Enciklika e re, e shumëpritur, e Benediktit XVI “Caritas in veritate” - “E vërteta me dashuri”. Gjatë konferencës, drejtuar nga Atë Federiko Lombardi, u mbajtën katër diskutime kryesore: ai i kardinalit Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe; i kardinalit Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum; i imzot Xhampaolo Krepaldit, sekretar i Drejtësi e Paqe dhe i profesor Stefano Zamanjit, pedagog i Ekonomisë Politike në Universitetin e Bolonjës dhe këshilltar i të njëjtit dikaster papnor. Enciklika “E vërteta me dashuri”, është, pra, ftesë për ta thënë të vërtetën me dashuri.

Ka ardhur koha të bëhet një projekt i ri për qeverisjen e fenomenit të globalizimit, që të vlerësojë mbi të gjitha, njeriun: ky është mesazhi i theksuar me forcë gjatë paraqitjes së “Caritas in veritate”. Kardinali Renato Rafaele Martino nënvizoi se për Benediktin XVI kriza në vijim kërkon të rimendohet modeli ekonomik, i ashtuquajtur ‘perëndimor’. Gjithsesi Papa e lexon realitetin me syrin e besimit në të ardhmen:
“Nga Enciklika buron një vizion pozitiv inkurajimi, që i drejtohet njerëzimit, me besimin se mund t’i gjejë burimet e së vërtetës e të vullnetit, për t’i kapërcyer vështirësitë”.
Kryetari i Këshillit Papnor të “Drejtësisë e Paqes” ripohoi se “E vërteta me dashuri” vijon traditën e Enciklikave shoqërore dhe reflekton mbi ndryshimet e mëdha, që janë bërë gjatë viteve të fundit. Mbi të gjitha, ballafaqohet me ideologjinë e teknikës dhe me theksimin e fenomeneve të globalizimit, vë në dukje rikthimin e feve në skenën botërore dhe, së fundi, flet për problemin e qeverisjes ndërkombëtare. Enciklika – tha kardinali Martino – rikujton e aktualizon vizionin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor të Populorum progessio, në tre drejtime: në drejtimin e kërkesës për harmoninë e dijeve, të nevojës për një humanizëm të hapur drejt Absolutit e, së fundi, në drejtimin e vëllazërimit, për të zhdukur shkaqet e prapambetjes.
“Caritas in veritate” - komentoi më pas kardinali Paul Jozef Kordes, ‘është dritë për shoqërinë’ e për të krishterët. Ripohon me forcë se njeriu duhet të jetë në qendër të vëmendjes në çdo përpjekje për zhvillimin njerëzor, pa harruar se Kisha frymëzon, por nuk bën politikë:
“Duke iu rikthyer Populorum Progressio, Enciklika e sotme pohon qartë: “Kisha nuk ofron rrugëzgjidhje teknike e nuk pretendon të ndërhyjë në politikën e shteteve”. E kjo do të thotë se doktrina shoqërore e Kishës, nuk është një ‘rrugë e tretë’, domethënë program politik, që duhet realizuar, për të krijuar një shoqëri më të përkryer”.
Doktrina shoqërore e Kishës – ripohoi Hirësia e Tij – është “një nga elementet e ungjillëzimit” e, nga ana tjetër, nuk mund ta kufizojë njeriun në jetën e tij shoqërore. Në Enciklikë – shtoi – vihet në dukje se nuk mund të ketë zhvillim, pa Zotin, e nuk mund të përballohen çështjet shoqërore, pa u lidhur ngushtë me çështjen etike.
Nga ana e tij imzot Krepaldi vuri theksin tek përmasa e dhurimit pa asnjë interes dhe pohoi se kumtimi i Krishtit ‘është ndihma më e madhe, që mund të japë Kisha për zhvillimin”. Prandaj – vijoi – Krishterimi ‘ka të drejtën e vet të qytetarisë në ambientin publik”. Prej këndej – shpjegoi - në ‘Caritas in veritate” çështja antropologjike bëhet ‘çështje shoqërore’:
“Lindja e fëmijëve dhe seksualiteti, aborti dhe eutanazia, manipulimet e identitetit njerëzor dhe përzgjedhja eugjenetike vlerësohen si probleme shoqërore me rëndësi të dorës së parë që, në se drejtohen sipas logjikës së prodhimit të pastër, përçudnojnë vetëdijen shoqërore, minojnë kuptimin e ligjit, brejnë familjen, vështirësojnë mikpritjen e njeriut të ligësht”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Martino foli për reformimin e OKB-së, të cilën Papa e kujton në Enciklikë:
“Enciklika nuk kërkon një mbiqeveri, një qeveri botërore… organizatat aktuale do të duhej ta kishin këtë autoritet politik botëror. Ja, pra, pse Papa e nxit reformimin e Kombeve të Bashkuara”.
Nga ana e tij, profesor Stefano Zamanji, duke folur për shoqërinë dhe tregun, u ndalua në mënyrë të veçantë tek parimi i vëllazërimit, si faktor i rëndësishëm për zhvillimin e vërtetë njerëzor.
“Caritas in veritate”, kjo ftesë e madhe drejtuar mbarë njerëzimit për ta thënë “të vërtetën me dashuri”, e pa dritën e shtypit në Shtypshkronjën e Vatikanit, në 50 mijë kopje, duke u krijuar të gjithëve mundësitë ta lexojnë dokumentin papnor në gjuhën latine e në në gjashtë gjuhë të tjera: italiane, franceze, angleze, gjermane, spanjolle e portugeze. Do të botohet në të gjitha vendet e botës, përmes Konferencave ipeshkvnore e botuesve të vendeve të ndryshme. Në Itali, edicioni ekonomik kushton vetëm 2 euro. Ndërkaq Shtëpia Botuese e Vatikanit ka autorizuar, për botime të veçanta, revistat ‘Famiglia Cristiana” dhe ‘Tracce’, të përditshmen ‘Avvenire’ dhe të përjavshmet dioqezane.
Gjithnjë Shtypshkronja e Vatikanit po përgatit për shtyp edhe një edicion me komente nga specialistë të fushave të ndryshme të dijes.







All the contents on this site are copyrighted ©.