2009-07-06 18:25:40

Takimi në Kremlin ndërmjet presidentëve Medvedev e Obama. Nënshkrim për çarmatimin bërthamor


(06.07.2009 RV)Takim i rangut të lartë ndërmjet presidentëve të Rusisë e të SHBA-ve. Objektivi kryesor, përsëritja e marrëveshjes për çarmatimin bërthamor. Në prag të G8, tashmë filluan një sërë takimesh me rëndësi të dorës së parë ndërmjet presidentëve e kryeministrave, që do të marrin pjesë në mbledhjen e madhe të Akuilës. Presidenti Amerikan Barak Obama ndodhet në Moskë, ku nisi bisedimet për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe të SHBA-ve me Rusinë. Në qendër të vëmendjes, në takimin e sotëm me presidentin rus, Dmitri Medvedjev, edhe çështja e përsëritjes së Traktatit Start për çarmatimin bërthamor, afati i të cilit përfundon në dhjetorin e ardhshëm. Për t’u njohur me të rejat në marrëdhëniet ndërmjet dy superfuqive, intervistuam Fulvio Skalione-n, zëvendës-drejtor i revistës ‘Familja e Krishterë”:

Përgjigje: - RealAudioMP3 Besoj se për çështjen e çarmatimit bërthamor, parë në përgjithësi, kemi dy perspektiva të mira. Nga ana tjetër, ka mijëra e mijëra raketa bërthamore krejtësisht të panevojshme, edhe në se bëjmë parashikimet më të frikshme për mundësinë e acarimit të marrëdhënieve ndërmjet dy superfuqive. Për më tepër, çarmatimi bërthamor është një nga flamujtë ideologjikë të Obamës. Megjithatë, nuk duhen ushqyer shpresa të kota, duke pasur parasysh se në tryezën e bisedimeve është çështja e instalimit, në Poloni e në Republikën Çeke, të sistemit rajonal amerikan të mbrojtjes nga raketat me rreze të gjatë veprimi, që mund të hidhen nga Irani. Kjo e ndërlikon jo pak çështjen, sepse Rusia e shikon shtrembër këtë mundësi, duke e konsideruar si kërcënim për sigurinë e saj strategjike, ndërsa SHBA-ve ripohojnë se synimi i këtij sistemi është të mbrojë Evropën prej kërcënimit bërthamor, që vjen nga Irani. E kjo është, në të vërtetë, nyja e çështjes.

Pyetje: - Mund të themi, atëhere, se jemi në fazë dialogu? Me ç’sy e shikojnë shtetet e tjera…

Përgjigje: - Besoj se shtetet e tjera e shikojnë në këtë çast me kureshtje, duke marrë pjesë, ndoshta, në ndonjë rast shqetësues, por besoj se në planin global kjo është një fazë ende e papërfunduar, në kuptimin se në plan të parë janë probleme të tjera, tejet shqetësuese: është kriza ekonomike; është tërheqja nga Iraku, është Lindja e Mesme, është Koreja e Veriut, janë edhe çështje të tjera, që pengojnë, edhe në frontin e marrëdhënieve Rusi-SHBA, arritjen e një kthese të vërtetë.

Pyetje: - A mund të mendojmë se marrëdhëniet SHBA-Rusi në një farë mënyre mund t’i kalojnë në plan të dytë marrëdhëniet Bashkim Evropian- Moskë?

Përgjigje - Besoj se në këtë çast dialogu ndërmjet Bashkimit Evropian e Moskës duhet konsideruar, me realizëm, në gjendje amullie, e kjo sepse as njëra e as tjetra palë nuk kanë mundësi të bëjnë hapa të rëndësishme përpara. Rusia po jeton një krizë ekonomike tejet të rëndë e duhet të mbrojë edhe pasurinë e vet energjitike si dhe aftësinë politike për të kushtëzuar mekanizmat e konsumit në nivel botëror e, prej këndej, edhe në nivel të Bashkimit Evropian, që është klienti i saj i parë. Besoj se në këtë këndvështrim, dialogu nuk është në fazën e ndërprerjes, por të amullisë.

E ndërsa ne bisedojmë me Fulvio Skalione-n , nga Moska arrijnë njoftimet e para për takimin e Presidentit rus Dmitri Medvedjev me Presidentin amerikan, Obama. Janë pozitive komentet në përfundim të bisedimit të parë, të ngushtë, që zgjati një orë e gjysëm, ku - sipas njoftimit të Agjensisë Itar-Tass - u nënshkrua një marrëveshje, që i hap rrugën kufizimit të armëve strategjike. “Nuk e kaluam kohën kot, folëm për tema të rëndësishme e do të vijojmë të diskutojmë më gjërësisht për problemet dypalëshe me interes ndërkombëtar. Do të vijojmë gjithashtu veprimtaritë e tjera, të parashikuara në programin e këtij takimi” – komentoi Medvedjev.
“Bisedimet me një numër të kufizuar të ftuarish, qenë mjaft të frytshme. Nuk ka dyshim se mund të bëjmë hapa para për t’i zgjidhur të gjitha problemet, rreth të cilave duhet të diskutojmë” – e përforcoi Obama - i cili në konferencën përfundimtare të shtypit të takimit me liderin e Kremlinit, Medvedjev, uroi që traktati për çarmatimin bërthamor të përfundojë brenda fundit të vitit, me reduktimin e 1/3-tës së arsenaleve të SHBA e të Rusisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.