2009-07-06 15:08:45

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: uroj që në botë të mos rrjedhë më gjak për shkak të dhunës e të padrejtësive.


(06.07.2009 RV)RealAudioMP3 Gjaku i Krishtit është peng i dashurisë besnike të Zotit për njerëzimin. Këtë pohoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke shtuar se “britmës për gjakun e derdhur, që lartohet nga shumë vende të botës, Zoti i përgjigjet me gjakun e të Birit”. E britma e fundit, shkaktuar nga dhimbja dhe gjaku i derdhur, arrin nga Filipinet, ku një atentat i kryer para Katedrales së Kotabatos, shkaktoi disa viktima.

Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa e dënoi ashpërsisht atentatin e kryer paradite në Kotabato të Filipineve, ku shpërthimi i një bombe para Katedrales, gjatë kremtimit të Meshës të së dielës, shkaktoi disa të vdekur e të plagosur, ndërmjet të cilëve, gra e fëmijë:
“Ndërsa lus Zotin për viktimat e gjestit të ulët - tha Papa - ngre zërin për të dënuar edhe një herë përdorimin e dhunës, e cila nuk është kurrë rrugë e denjë për zgjidhjen e problemeve ekzistuese”.
Episodi i djeshëm në Filipine, është një faqe e re dramatike, që i shtohet historisë së vuajtjeve njerëzore. Pikërisht kuptimit të vuajtjes Benedikti XVI ia kushtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke shpjeguar simbolikën e gjakut në Shkrimin Shenjt. Në Testamentin e Vjetër – kujtoi Benedikti XVI - spërkatja me gjakun e kafshëve të flijuara përfaqësonte e përforconte besëlidhjen ndërmjet Zotit e popullit, siç lexohet në Librin e Daljes. Ndërsa në Librin e Zanafillës – shtoi Ati i Shenjtë – gjaku i Abelit, mbytur nga i vëllai, Kaini, ngrihet nga toka drejt qiellit, për të lypur gjyq para fronit të Hyjit:
“Mjerisht, sot ashtu si dje, kjo britmë nuk pushon, sepse vijon të rrjedhë gjak njerëzor për shkak të dhunës, të padrejtësisë, të urrejtjes. E kur më do ta mësojnë njerëzit se jeta është e shenjtë e i përket vetëm Zotit? E kur do ta kuptojnë se jemi të gjithë vëllezër?”.
Këto pyetje – shtoi Papa – e gjejnë përgjigjen në dashurinë e Zotit:
“Britmës për gjakun e derdhur, që lartohet drejt qiellit nga të katër anët e botës, Zoti i përgjigjet me gjakun e Birit të vet, që e dhuroi për ne. Krishti nuk iu përgjigj së keqes me të keqe, por me të mirë, me dashurinë e tij të pafundme. Gjaku i Krishtit është peng i dashurisë besnike të Hyjit për njerëzimin”.
Duke nisur nga fshikullimi me kamxhik e deri sa vdiq në kryq – kujtoi Ati i Shenjtë – Krishti e derdhi gjithë gjakun e tij, si ‘Qengj i vërtetë, i flijuar për shpërblimin universal”. Në këtë gjak çdo njeri mund të gjejë forcë e shpresë:
“Duke ia ngulur sytë plagëve të të Kryqëzuarit, çdo njeri, edhe në kushtet më të skajshme të mjerimit moral, mund të thotë: Zoti nuk më ka lëshuar dore, më do, dha jetën për mua; e kështu t’i rilindin shpresat e shuara”.
Në përfundim të lutjes, Papa kujtoi edhe tragjedinë e Viarexhos, duke theksuar se merr pjesë në dhimbjen e atyre që humbën të dashurit, mbetën të plagosur ose pësuan dëme materiale, edhe të rënda:
“Ndërsa lartoj lutjen time drejt Zotit për të gjithë njerëzit e prekur nga tragjedia, uroj që aksidente të tilla të mos përsëriten e t’u garantohet të gjithëve siguria në punë e në veprimtaritë e jetës së përditshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.