Në Kastres të Francës u shpall e Lume Zhanë-Emili de Vilanëv.
(06.07.2009 RV) Dje, në qytezën Kastres,
pranë Pirenejve franceze, u kremtua Mesha solemne me ritin e lumnimit të Zhanë-Emili
de Vilanëv, themeluese e Kongregatës së Zojës së Papërlyer, rregulltaret e së cilës
njihen me emrin ‘motrat e kaltra”. E lindur në një familje fisnike, jetoi në gjysmën
e dytë të tetëqindës e themeloi një institut të cilin, me një kusht të posaçëm, ia
kushtoi shenjtërimit të të afërmit. Por, për ta njohur më hollësisht të Lumen e re,
të dëgjojmë kryeipeshkvin Anxhelo Amato, i cili sot, në emër të Papës, shqiptoi
formulën e lumnimit:
Përgjigje: - Zhanë-Emili Vilanëv – e
njohur shkurtimisht me emrin Emili –lindi në Tuluzë, më 9 mars 1811. Ishte vajza e
tretë e kontëve të Vilanëv Hoterive. Jetoi në kështjellën e familjes, pranë Kastres.
U rrit e ndrojtur, reflektive, larg zhurmave të kështjellës e larg salltaneteve
të fisnikërisë, së cilës i përkiste. Ishte në kërkim të rrugës së drejtë, kur Zoti
i hapi portën e jetës rregulltare. Më 8 dhjetor 1836, në moshën 25 vjeçare, me dy
shoqe të tjera, veshi zhgunin blu të një instituti të ri, duke marrë edhe emër të
ri: Motra Mari. Prindërit e qanë me lot, si të kishte vdekur. Por ajo kaloi pa ndrojtje
nga kështjella madhështore, në një strehë të mjerë, të denjë për njerëzit e varfër
të qytezës. Nisi të mbledhë rreth vetes vajza të reja, që mësonin rrobaqepësi, të
cilave u jepte edhe mësime fillestare katekizmi. Pak nga pak veprimtaria e saj u zgjërua
e, së bashku me simotrat, nisi të vihej edhe në shërbim të të burgosurve. Takimi
providencial me Atë Liberman, themelues i meshtarëve të misioneve të jashtme, i hapi
Motër Marisë horizontin misionar. Katër nga motrat e saj të para u nisën për në Senegal
në dhjetor 1847. Vijuan pastaj në drejtim të Gabonit e të Guinesë angleze. Më 1853
Instituti kishte katër shtëpi në Afrikë e strehë të reja në qytetet të ndryshme franceze.
Kongregata e motrave të kaltra u miratua përfundimisht nga Selia e Shenjtë më 30 dhjetor
1852.
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për mrekullinë, falë së cilës
rregulltarja u shpall e Lume?
Përgjigje: - Si të donte ta
shpërblente Nënën për shpirtin e saj misionar, mrekullia e kërkuar për lumnim ndodhi
më 1995. Ka të bëjë me shërimin e një vajze afrikane myslimane, Binta Diabi-t, nga
Sierra Leone. Vajza ishte dëbuar nga familja, sepse kishte mbetur shtatzënë. E dëshpëruar
në kulm, deshi të vriste veten, duke pirë sodë kaustike, që ia shkatërroi krejt organet
e brendshme. Po vdiste, kur disa murgesha, që e morën vesh ç’kishte ndodhur, nisën
një nëntëditëshe urate drejtuar ‘Nënës së Mirë”, duke iu lutur t’ia kthente shëndetin
vajzës. Në sa murgeshat vijonin lutjen, vajza nisi të shërohej me shpejtësi të papritur
e të pashpjegueshme nga ana shkencore. Ishte një shenjë nga qielli, që tregon se Nëna
vijon të ndërhyjë pranë Zotit për nevojtarët.