2009-07-06 18:26:06

Benedikti XVI me ambasadorin e ri të Haitit: thirrje botës për të ndihmuar ishullin e dëmtuar nga katastrofat natyrore.


(06.07.2009 RV)Të ndihmohet populli haitian, i vënë në provë të rëndë muajt e fundit për shkak të katastrofave natyrore: këtë thirrje i drejtoi bashkësisë ndërkombëtare Papa, në audiencën me ambasadorin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Haitit pranë Selisë së Shenjtë, Karl-Hanri Gitò, i cili paraqiti sot paradite në Vatikan, letrat kredenciale.
Ati i Shenjtë uroi që mbarë populli haitian të jetojë me dinjitet e siguri e të ndërtojë një shoqëri gjithnjë më të drejtë e më vëllazërore. Benedikti XVI kujtoi, më pas, 150- vjetorin e Konkordatit – më i vjetri në Amerikë – ndërmjet Selisë së Shenjtë e shtetit të vogël karaibik, që solli fryte të shumta për Kishën në këtë vend, ku bashkësia katolike ka gëzuar gjithnjë nderimin e autoriteteve.
Më pas Papa kujtoi me keqardhje të thellë katastrofat natyrore të kohëve të fundit, që dëmtuan rëndë Ishullin, e posaçërisht uraganet, të cilat shkatërruan prodhimet bujqësore, duke e rënduar më tej gjendjen e vështirë ekonomike të shumë familjeve. Prej këndej, thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për t’i ndihmuar konkretisht njerëzit që kalojnë vështirësi.
Por Ati i Shenjtë kujtoi edhe ‘shenjat e shpresës’, që në Haiti nuk mungojnë e që bazohen mbi vlerat njerëzore e të krishtera, siç janë respekti për jetën, lidhja e ngushtë me familjen, ndjenja e lartë e përgjegjësisë e, mbi të gjitha, besimi në Zotin, i cili nuk e braktis kurrë njeriun, që lëshohet në dorë të Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.