2009-07-04 17:54:44

U kremtua në Romë Mesha e dritës e Atë Paskuale Borgomeos: mirënjohja e Papës për shërbimin bujar e kompetent në Radio Vatikan.


(04.07.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, pranë Kishës romake të Shpirtit Shenjt në Sasia, u kremtua Mesha dritës e Atë Pasquale Borgomeos (Napoli 1933-Romë 2009), jezuit, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit nga viti 1985 deri në vitin 2005, vit në të cilin u largua nga kjo detyrë, pas 35 vjet shërbimi pranë emitentes së Selisë së Shenjtë, ku e nisi misionin më parë si kryetar i redaksisë qendrore e më pas si drejtor i programeve e drejtor i pëgjithshëm.
Mesha e dritës nisi në orën 9. 15, e kryesuar nga kardinali Roberto Tuçi, jezuit, sivëlla, mik e bashkëpunëtor i Atë Borgomeos në drejtimin e Radio Vatikanit. Gjatë kremtimit, në të cilin ishin të pranishëm autoritete të larta të Kishës, sivëllezër dhe e gjithë bashkësia shumëgjuhëshe e Radio Vatikanit, drejtori aktual i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, lexoi telegramin e ngushëllimit, që Papa i drejtonte Eprorit të përgjithshëm të jezuitëve, atë Adolf Nikolas Pakon, pranë të cilit kohët e fundit Atë Borgomeo shërbente si sekretar personal, sivëllezërve jezuitë e familjarëve. ‘Bashkëpunëtor besnik i Selisë së Shenjtë, Drejtor i çmuar i Radio Vatikanit, që kreu me bujari e aftësi, një veprimtari të shquar në shërbim të komunikimit shoqëror” - kështu e cilësonte Papa Atë Borgomeon në telegramin, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinali Tarçizio Bertone.
Atë Lombardi mbajti edhe homelinë e rastit, duke sintetizuar etapat kryesore të jetës së jashtëzakonshme të Atë Borgomeos, shkrimtar që në moshën 11 vjeçare, kandidat për jezuit në moshën 15 vjeçare, nxënës e student i shkëlqyer në shkollat më të mira të jezuitëve në moshë të pjekur, dashuronjës i librit, mik i ngushtë i bibliotekave, njohës i madh i gjuhëve të huaja, plot etje për dije, njeri me kulturë të gjërë e me shpirt edhe më të gjërë. Atë Lombardi theksoi humbjen e rëndë që pëson Kisha katolike me vdekjen e një personaliteti kaq të lartë feje e kulture. Por ta dëgjojmë Atë Lombardin:
“Nuk mund të përmblidhen shkurtimisht vitet e shumta të shërbimit besnik, të jetuara me inteligjencë e entuziazëm, me vizionin e qartë të misionit, në shërbim të Atit të Shenjtë, në shërbim të Kishës. Ishte njeri tejet i përzemërt e tërheqës. Kush pati fatin të punojë pranë tij, do të ruajë gjithnjë kujtime të bukura.
Kur iu dha titulli francez i Kalorësit të Legjionit të Nderit, kronisti i gazetës ‘La Croix’, shkruante: “Ky napolitan 61 vjeçar, i përzemërt e mikpritës, i diplomuar në filozofi, filologji e teologji, poliglot – flet katër gjuhë – ka aftësinë t’i dëgjojë gjithnjë me vëmendje bashkëbiseduesit. Kreu i Radio Vatikanit vlerësohet për autoritetin e tij largpamës e për buzëqeshjen, që s’i ndahet kur punon”.
Lule, shumë lule kishte në salikimet e Atë Borgomeos, e edhe shumë shpresa, që burojnë nga besimi në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur. Por edhe lot të sinqertë në sytë e punonjësve të Radios, në zemrat e të cilëve figura e Drejtorit të madh, njeriut me fe të gjallë, me kulturë mahnitëse, me talent të pashoq e aftësi të shkëlqyera për të komunikuar me zemër të hapur, në emër të Krishtit, e njëkohësisht tejet të përvujtë, do të mbetet shembull që meriton të ndiqet. Por ta dëgjojmë rishtas zërin e Drejtorit, që vijon të na flasë:
“Në çastin e ndarjes, ndjenja më e fortë është ajo e mahnitjes, përpara mirënjohjes. Mahnitje e mirënjohje për dhuratën e paçmuar, që m’u bë, duke m’u krijuar mundësitë t’i shërbej Kishës e Kryebariut të saj në një kohë kaq vendimtare për historinë e njerëzimit e ta shikoj si rritet, ditë pas dite, në pjekuri, në motivacion, në profesionalitet, në aftësi, mjetin e madh të ungjillëzimit, Radion e Papës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.