2009-07-04 18:22:35

Një javë me Benediktin XVI e me Selinë e Shenjtë


(05.07.2009 RV)RealAudioMP3 Tri ditë në Republikën Çeke për të kremtuar Shën Vençeslaun, Pajtor i Kombit. Do të jetë kjo ngjarje e madhe, zemra e shtegtimit të ardhshëm apostolik të Benediktit XVI, që do të ndalohet për tri ditë, nga data 26 deri më 28 shtatorin e ardhshëm, në Pragë e vende të tjera të Republikës Çeke. Hollësitë për etapat e veçanta të këtij shtegtimi të ri të Papës, u bënë të njohura të premten e kaluar nga Salla vatikanase e Shtypit.

 
Kisha së shpejti do të ketë një shenjtore e disa të lum të rinj. Pardje, duke pritur prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryeipeshkvin Anxhelo Amato, Benedikti XVI autorizoi shpalljen e Dekreteve, që kanë të bëjnë me mrekullinë e së Lumes spanjolle, Kandida Maria e Jezusit Çipitria i Barriola, themeluese e Bijave të Jezusit, që ndërroi jetë në Salamankë të Spanjës, më 9 gusht 1912, në moshën 67 vjeçare. Dekretet e shpallura njohin edhe mrekullitë e tre Shërbëtorëve të Hyjit, ndërmjet të cilëve, mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e kardinalit anglez, Xhon Henri Njumën, themelues i Oratoreve të Shën Filip Nerit, i kthyer nga anglikanizmi në katolicizëm.

“E pres me emocion takimin me Papën”- kështu u shpreh, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i SHBA-së, Barak Obama gjatë një takimi me gazetarët, në një tryezë të rrumbullaktë, me pjesëmarrje të kufizuar në Uashington. Ndërmjet gazetarëve, e pranishme edhe përfaqësuesja e Radio Vatikanit, Elena Molinari.
Një tur diplomatik me fushë të gjërë veprimi, i pasur me takime, që do të arrijë kulmin me vizitën private tek Papa e me praninë në G8 të Akuilës. Këto do të jenë veprimtaritë kryesore të presidentit amerikan, Barak Obama, gjatë udhëtimit të tij në Rusi, Evropë e Afrikë.

“Meshtari nuk duhet të ndërtojë një shoqëri të ndryshme, por të kumtojë fjalën e Zotit. Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës.
Frytet që mund të sjellë Viti Meshtarak dhe thelbi i meshtarisë ishin në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI, mbajtur të mërkurën e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ripohoi vlerën e domosdoshme të lutjes në jetën e çdo të krishteri. Më pas, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve italianë, nënvizoi rëndësinë e etikës në jetën politike dhe ngriti me forcë zërin kundër plagës së fajdesë.

Të hënën e kaluar, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin e Eukaristisë me disa kryeipeshkvij metropolitë, të cilëve u vuri mbi supe Palion e Shenjtë. Si çdo vit, në kremtim ishte i pranishëm një delegacion i Patriarkanës Ortodokse Ekumenike. Papa uroi që “nderimi i përbashkët i këtyre martirëve, të jetë peng për një bashkim gjithnjë më të plotë e më të ndjerë ndërmjet të krishterëve”. Pastaj, në lutjen e Engjëllit të Tënzot njoftoi se pak çaste më parë kishte nënshkruar Enciklikën e tij të tretë, kushtuar temave shoqërore, që do të shohë së shpejti dritën e shtypit.
Enciklika titullohet “E vërteta me dashuri”. Është, pra, ftesë për ta thënë të vërtetën me dashuri. Papa shpjegoi se në të trajton tematikat shoqërore, që përmban ‘Populorum progressio’, shkruar nga shërbëtori i Zotit, Pali VI, në vitin 1967.

Gjatë homelisë, mbajtur në kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore, që shënuan mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit, Papa njoftoi se është bërë një studim shkencor në sarkofagun e Apostullit të Popujve, duke theksuar se copëzat e eshtrave, të ruajtura në të, janë pikërisht të Shën Palit.

Kardinali Andrea Kordero Lanca di Montexemolo ripohoi se rezultatet e para janë vërtetë emocionante.

Të enjten e kaluar, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit botimi i ri i dokumentave të Vatikanit mbi gjyqin e Galileo Galileit, përgatitur nga Imzot Serxho Pagano, Prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit. Besnikëri e plotë ndaj akteve origjinale të procesit, kriter rigoroz filologjik, dokumentacion i ri, hyrje e gjërë për çdo tekst, bibligiografi e besueshme: këto janë disa nga cilësitë e botimit 2009 të dokumenteve të Procesit gjyqësor të Galileo Galileit, pas botimit të vitit 1984, që i parapriu fjalëve të Gjon Palit II për Galileon në 1992. E duhet shtuar edhe se ndërmjet 1877 e 1910 ka pasur edhe 4 botime tjera. Imzot Pagano e konsideron edicionin e ri, një “botim të plotë e të besueshëm” pikërisht sepse është tejet besnik ndaj teksteve origjinale deri në respektimin e shkronjave të vogla e të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.