2009-07-04 17:55:20

Letra e Papës kryeministrit Berluskoni në prag të G8: qeveritë t’i përballojnë të bashkuara sfidat e Planetit.


(04.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Pjesëmarrja e presidentëve ose e kryeministrave, jo vetëm të G8, por edhe të shumë kombeve të tjera, do të bëjë që vendimet, të cilat duhen marrë për të gjetur rrugëzgjidhje të përbashkëta për problemet kryesore, që ndikojnë mbi ekonominë, mbi paqen e sigurinë ndërkombëtare, të pasqyrojnë më besnikërisht këndvështrimet e shpresat e popullsive të mbarë Kontinenteve”. Këtë nënvizon Papa në Letrën drejtuar kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, në prag të mbledhjes G8 në Akuila të Italisë, ku do të takohen presidentët e kryeministrat e vendeve më të industrializuara të botës.
Pasi sintetizon tiparet themelore të zhvillimit ekonomik global në periudhën e rritjes së jashtëzakonshme, Benedikti XVI kalon tek pasojat e krizës financiare dhe ekonomike, që po trondit mbarë Planetin që nga fillimi i vitit 2008, duke e ndryshuar krejt panoramën. E panorama e re krijon edhe rreziqe të reja, jo vetëm për vendet e varfëra, që shpresonin të shpëtonin nga mjerimi, por edhe për vendet deri dje të njohura për një farë mirëqenieje materiale, të cilat po e ndjejnë gjithnjë më shumë peshën e rëndë të krizës. Ajo, që e shqetëson më tepër Papën e që theksohet në Letër, është se kriza ekonomike botërore krijon rrezikun e shlyerjes ose të kufizimit të planeve të ndihmës ndërkombëtare, sidomos në favor të Afrikës e të vendeve më pak të zhvilluara.
Prandaj Papa u bën thirrje qeverive të mbarë botës që ndihma për zhvillimin, posaçërisht ajo që ka të bëjë me vlerësimin e burimit njerëzor, të ruhet e të fuqizohet, pavarësisht nga kriza, sepse është një nga rrugëzgjidhjet kryesore për të dalë nga situata e vështirë. E Papa vë në dukje kërkesat më të theksuara të jetës së individëve e të familjeve, posaçërisht krijimin e vendeve të reja të punës, që u përgjigjen nevojave të punonjësve e të familjeve për një jetë të denjë, për edukimin e fëmijëve e për të qenë protagonistë të bashkësisë, në të cilën bëjnë pjesë. Prej këndej, propozimi i Benediktit XVI për forcimin e bashkëpunimit të mbarë bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm për problemet ekonomike, por për të gjitha tematikat, që kanë të bëjnë me paqen, sigurinë botërore, çarmatimin, shëndetin, mbrojtjen e mjedisit e të burimeve natyrore për breznitë e sotme e të ardhshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.