2009-07-03 18:19:39

“Është nder për mua të takohem me Papën”- shprehet për Radio Vatikanin, presidenti i SHBA-së, Barak Obama.


(03.07.2009 RV)Një tur diplomatik me fushë të gjërë veprimi, i pasur me takime, që do të arrijë kulmin me vizitën private tek Papa e me praninë në G8 të Akuilës. Këto do të jenë veprimtaritë kryesore të presidentit amerikan, Barak Obama, gjatë udhëtimit të tij në Rusi, Evropë e Afrikë.

Dje Obama u takua me gazetarët në një tryezë të rrumbullaktë, me pjesëmarrje të kufizuar. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesja e Radio Vatikanit, Elena Molinari si dhe korrespondenti i gazetës së KII-së “Avvenire”. Të ndjekim, nga Uashingtoni, të dërguarën tonë në takimin me Presidentin amerikan:

“Barak Obama shpreson t’i sjellë Atit të Shenjtë pohimin lidhur me impenjimin e Vendeve të G8 për shtimin e ndjeshëm të ndihmave ndaj Vendeve më të varfëra, që po e mbartin në mënyrë të shpërpjestuar barrën e rëndë të krizës ekonomike botërore. Presidenti amerikan e quajti ‘nder’ audiencën me Papën Benedikti XVI, në program për javën e ardhshme, dhe theksoi se shpreson që takimi do t’i japë mundësi të përcaktojë zonat, ku SHBA-së e Selia e Shenjtë mund të bashkëpunojnë, duke nisur nga paqja në Lindjen e Mesme tek lufta kundër varfërisë, nga ndryshimet klimaterike tek emigracioni: të gjitha tema – saktësoi Presidenti amerikan – për të cilat Papa ka ndërmarrë nisma të jashtëzakonshme . “Pata një bisedë të mrekullueshme telefonike me Atin e Shenjtë, menjëherë pas zgjedhjes sime” – kujtoi me entuziazëm Obama. Më pas pranoi se ka edhe tema për të cilat nuk është njëmendjeje me Papën, si me çdo kryetar tjetër shteti, por kjo – shtoi – është shumë më tepër se një lidhje ndërmjet dy qeverish: Kisha katolike ka një ndikim tejet të thellë në të gjithë botën e edhe në vendin tonë; Ati i Shenjtë është lider i njohur në fusha të ndryshme e ndikimi i tij fetar shtrihet shumë përtej kufijve të Kishës katolike.
Lidhur me Lindjen e Mesme, Obama u shpreh si Papa, sidomos për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme e të drejtë në Tokën Shenjte. Pranoi edhe se një pjesë e mirë e përgjegjësisë për situatën e amullisë në bisedime, bie mbi Izraelin, i cili nuk pranon ta ndalojë zgjërimin e ngulimeve në Çisjordani. E kemi plotësisht të qartë – tha Presidenti amerikan – se ngulimet hebraike duhen ndaluar. Por Obama nuk harroi të vinte theksin edhe mbi detyrimet e palestinezëve: “Duam t’i inkurajojmë – shpjegoi – ta refuzojnë dhunën e t’i japin fund një herë e mirë nxitjes së urrejtjes, që për fat të keq, vijon akoma në shumë bashkësi palestineze.
Pyetjes mbi rrugën që mund të marrin qëndrimet e ndryshme të shoqërisë amerikane mbi abortin, Barak Obama iu përgjigj se nuk duhen ushqyer shpresa të kota e se ndryshimet nuk do të zhduken vetëm me dialog. E di se në disa pika kundërvënia është e papajtueshme – tha – e gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është të pohojmë se ka njerëz vullnetmirë nga të dyja anët e debatit e se mund të gjinden elemente, mbi bazën e të cilave mund të punohet së bashku. Ndërmjet këtyre elementeve, Obama kujtoi nevojën për t’i ndihmuar të rinjtë të marrin vendime, që parandalojnë shtatzanitë e padëshiruara, rëndësinë e fuqizimit të bijësimit, si alternativë e abortit dhe kujdesin për gratë shtatzëna.
Presidenti amerikan shpjegoi, më pas, se ka qenë e vijon të jetë fuqimisht i frymëzuar nga mësimet e drejtësisë shoqërore të Kishës, të cilat i pa të vëna në jetë në Çikago nga kardinali Bernardin, ndonëse druhet se një pjesë e tyre u dëmtuan rëndë për shkak të debatit mbi abortin.
Administrata Obama është shprehimisht në favor të ligjërimit të abortit e një nga veprimtaritë e para të saj ishte rifillimi i financimeve publike për Ong (Organizatat jo qeveritare), të cilat japin ndihmesë edhe për abortin.
Por Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi dje edhe një masë, e cila parashikon kundërshtimin e abortit për arsye të ndërgjegjes nga punonjësit e spitaleve dhe të Ong katolike. “E mbrojta këtë në Asamblenë ligjvënëse në Illinois – kujtoi – e diskutova edhe me kardinalin Frensis Xhorxh dhe e përsërita gjatë fjalimit tim mbajtur në Universitetin Notre Dame. Prandaj mund të them se së shpejti do të përcaktojmë vijat drejtuese, që do të përmbajnë, të shprehur qartë, edhe mundësinë për ta kundërshtuar abortin për arsye të ndërgjegjes.
Obama shfrytëzoi rastin e takimit të djeshëm për të kujtuar ndihmën që ka marrë nga Italia në Afganistan, por nënvizoi se tani ky vend ka më shumë nevojë se kurrë për zhvillim ekonomik, infrastruktura, punë, tregti e arsim, në mënyrë që – tha Obama – t’i ofrohet popullsisë afgane një alternativë, për t’u larguar nga kultivimi i opiumit. Për këtë – tha në përfundim – do të flas edhe me kryeministrin Berluskoni gjatë punimeve të G8".
 







All the contents on this site are copyrighted ©.