2009-07-03 20:43:44

Shqipëri:KQZ ka rinisur pasditen procesin e numërimit të votave për tre kutitë e votimit, ende të panumërura të Fushë-Kuqes


(03.7.2009 RV)Në Shqipëri në ditën e pestë pas zgjedhjeve të përgjithshme, ende nuk ka një rezultat zyrtar e përfundimtar, pasi kanë mbetur edhe pak pa u numëruar të gjitha votat e zgjedhësve, ndërkohë që koalicionit i djathtë i PD-së, po punon për mandatin e ri të qeverisjes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rinisur pasditen e sotme procesin e numërimit të votave për tre kutitë e votimit, ende të panumërura të Fushë-Kuqes, që i përkasin KZAZ-së nr.39 në Qarkun e Lezhës.
Pas numërimit të tre kutive të para paraditen e sotme dhe pas një pushimi të Komisionit, grupi i numërimit i ngritur nga KQZ, në prani të anëtarëve të tij, po verifikojnë materialet zgjedhore, duke përfshirë këtu listat e zgjedhësve, firmat e tyre gjatë procesit të votimit, etj.
Pritet që pas përfundimit të numërimit të kutisë së katërt të vijohet me dy kutitë e tjera dhe brenda ditës së sotme të kemi dhe rezultatin për KZAZ-në nr. 39 të qarkut Lezhë.
Rezultatet e dala nga numërimi i tre kutive të para paraditen e sotme nxjerrin kryesuese PD-në dhe koalicionin e drejtuar prej saj "Aleanca e ndryshimit" me 688 vota, ndërkohë që PS, që udhëheq koalicionin "Bashkimi për ndryshim", ka fituar 319 vota.
Numërimi nga KQZ i gjashtë kutive të KZAZ-së nr. 39 u vendos dje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Rezultatet që do të dalin nga numërimi i tyre do t'i bashkangjiten rezultateve të 53 kutive të tjera të Qarkut të Lezhës, duke nxjerrë kështu dhe rezultatet përfundimtare dhe mandatet shoqëruese për këtë Qark në veriperëndim të vendit. Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.