Më 3 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Tomën Apostull.
(03.07.2009 RV) Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që
do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin
në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall,
në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë:
“Zotëria im e Hyji im”. Figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë
kudo në botë. Ja si na e përshkruan Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI Shën Tomën
në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes më 16. 04.2007: “Në
fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e
ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej
identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria
im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është
Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai
na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund
t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’
siguri për mëshirën e tij e ç’ ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria
im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. Mëshira
e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar.
Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar,
si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të
zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon
për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek
të mëdhatë. Ndërsa në homelinë e Meshës kremtuar për Pashkët e vitit 2007, Papa
Racinger mes tjerash theksoi: Pas fjalëve të Krishtit të ngjallur, feja gati e
shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë ngjarje madhore
Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm
pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit, një dëshmi për takimin
me të Ngjallurin, sepse ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të
vërtetë. “Në se përmes këtij Apostulli, Tomës mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë
e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt,
me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall
për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse
Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes
së planit të tij të amshuar shëlbues”. Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi
i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë,
vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët,
viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? “E pra, në
kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet
i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë
të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”.
Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në
provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur.
Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të
cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e
vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin
pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të
marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm,
është i denjë për t’u besuar!