Etapat kryesore të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Republikën e Çekisë,
më 26 deri më 28 shtator 2009.
(03.07.2009 RV)Tri ditë në Republikën Çeke për të kremtuar Shën Vençeslaun,
Pajtor i Kombit. Do të jetë kjo ngjarje e madhe, zemra e shtegtimit të ardhshëm apostolik
të Benediktit XVI, që do të ndalohet për tri ditë, nga data 26 deri më 28 shtatorin
e ardhshëm, në Pragë e vende të tjera të Republikës Çeke. Hollësitë për etapat e
veçanta të këtij shtegtimi të ri të Papës, u bënë të njohura sot nga Salla vatikanase
e Shtypit.
Do të jetë një festë krejt e veçantë, kjo që çekët do të kremtojnë
sivjet për nder të Pajtorit të Çekisë. Me lutjet e tyre, në këtë kremtim të madh,
do të bashkohet edhe Benedikti XVI, që do të jetë në vendin e tyre dy ditë para festës,
për një vizitë tejet të ngarkuar me veprimtari e takime nga më të ndryshmet. Një orë
pas arritjes në Pragë, e pikërisht në orën 12. 30 të 26 shtatorit të ardhshëm, Papa
do të jetë në Kishën e kryeqytetit, kushtuar Krishtit Fëmijë, për t’u dhënë çekëve
përshëndetjen e parë. Pastaj, pasdite, do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit
Václav Klaus, për t’u takuar, më pas, me autoritetet civile, politike e diplomatike
të kombit. Në orën 18. 00 Papa do të kryesojë me klerin, rregulltarët e anëtarët e
lëvizjeve kishtare, liturgjinë e Lutjeve Mbrëmësore në katedralen e Pragës, kushtuar
Shenjtorëve Vito, Vençeslau e Adalberti. Të dielën, më 27 shtator, Benedikti XVI
do të shtegtojnë nga Praga, në Brno, kryeqendër e Moravisë, ku do të kryesojë, në
aeroportin lokal, Meshën Shenjte e do të kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot
e prej nga do të riniset përsëri për Pragë, ku do të marrë pjesë në takimin ekumenik
të pasdites, në Sallën e Fronit të kryeipeshkvnisë. Në përfundim, Papa do të bisedojë
me përfaqësuesit e botës akademike çeke në Kështjellën e Pragës. Ditën e fundit
të qëndrimit në Republikën Çeke, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në festën e Shën
Vençeslaut, në Sheshin e rrugës Melnik të qytetit të lashtë Starà Boleslav, tejet
i lidhur me kultin e Shën Vençeslaut, historia e të cilit nis që nga shekulli IX. Pasi
të kthehet në Pragë, për të drekuar me ipeshkvijtë e vendit, Papa do t’i japë lamutumirën
çekëve nga nunciatura e kryeqytetit, për t’u nisur, rreth orës 17. 45, në drejtim
të Romës, ku pritet të arrijë dy orë më pas. Do të jetë i 13-ti shtegtim ndërkombëtar
i Benediktit XVI, i cili do të ecë në gjurmët e Gjon Palit II, që e vizitoi tri herë
Çekinë: më 1990, 1995 e 1997. Kanë kaluar 12 vjet që asokohe e tani Çekia përgatitet
të presë Benediktin XVI.