2009-07-02 12:47:53

Benedikti XVI: Homelia në Lutjet e para Mbrëmësore të Shenjtorëve Pjetër e Pal. Tekst i plotë.


(28.06.2009 RV)Zotërinj Kardinaj, të nderuar Vëllezër në Ipeshkvni e në Meshtari,
Të nderuar anëtarë të delegacionit të Patriarkanës ekumenike,
Të dashur vëllezër e motra,
i drejtoj secilit nga ju përshëndetjen time të përzemërt. Përshëndes, në mënyrë të veçantë, Kardinalin Kryeprift të kësaj Bazilike dhe bashkëpunëtorët e tij, përshëndes Abatin dhe bashkësinë murgare benediktine; përshëndes sidomos, Delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Viti përkujtimor i lindjes së Shën Palit përfundon sonte. U mblodhëm pranë varrit të Apostullit, sarkofagu i të cilit, i ruajtur nën elterin papnor, u bë kohët e fundme objekt i një analize të kujdesshme shkencore: sarkofagu, që nuk është hapur asnjëherë në rrjedhë shekujsh, kohët e fundit u shpua, për të krijuar kushtet e depërtimit të një sonde të posaçme, e cila analizoi përmbajtjen e tij. Sipas analizës, në sarkofag u gjetën gjurmë të një pëlhure liri ngjyrë purpuri, qindisur me ar dukati dhe të një pëlhure të kaltër, endur edhe kjo, me fije liri. U gjetën edhe kokërrza kemi të kuq dhe lëndë proteinike e gëlqerore. Përveç kësaj, copëzat e vogla të eshtrave, të cilat iu nënshtruan analizës së karbonit 14 nga ana e specialistëve, pa e ditur nga vinin, rezultoi se i përkasin një njeriu që ka jetuar ndërmjet shekullit I e II. Kjo duket se konfirmon traditën e njëzëshme e të pakundërshtuar, sipas së cilës këtu ruhen pikërisht eshtrat e Palit Apostull. E gjithë kjo e mbush shpirtin tonë me emocion të thellë. Shumë njerëz gjatë këtyre muajve, ecën në udhët e Apostullit – në udhët ku i shkeli këmba e më shumë në ato shpirtërore, që i përshkoi gjatë jetës: në udhën e Damaskut drejt takimit me të Ngjallurin; në udhët e botës mesdhetare, që i përshkoi me vravashkën e Ungjillit, duke ndeshur kundërshti e përkrahje, deri në martirizim, për shkak të të cilit i përket përgjithmonë Kishës së Romës. Asaj ia drejtoi edhe Letrën më të gjatë e më të rëndësishme. Viti kushtuar Shën Palit po përfundon, por shtegtimi me Shën Palin, që na bën të njohim Krishtin e si ai, të ndriçohemi e të shndërrohemi nga Ungjilli - është pjesë përbërëse e përhershme e jetës së krishterë. E përherë, edhe përtej mjedisit të besimtarëve, ai mbetet “Mësues i Popujve”, që dëshiron t’ua çojë mesazhin e Krishtit të ngjallur mbarë njerëzve, sepse Krishti i njohu e i deshi të gjithë: vdiq e u ngjall për të gjithë. Duam, prandaj, ta dëgjojmë edhe në këtë orë, në të cilën po nisim solemnisht festën e dy Apostujve, të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin.

Duke studiuar mënyrën e ndërtimit të Letrave të Palit – që lidhen gjithnjë me vende e situata të veçanta – vërejmë se në pjesën e parë na shpjegojnë sidomos misterin e Krishtit, na mësojnë fenë. Në pjesën e dytë, pastaj, vijon zbatimi në jetën tonë: ç’ ndikim ka kjo fe? Si e formon jetën tonë ditë për ditë? Në Letrën drejtuar Romakëve, kjo pjesë e dytë nis në kapitullin e 12-të, në dy versetet e para, në të cilat Apostulli përmbledh menjëherë thelbin e jetës së krishterë. Ç’na thotë ne Shën Pali në këtë fragment? Mbi të gjitha, pohon se me Krishtin nisi një mënyrë e re e nderimit të Hyjit, një kult i ri. Ky kult qëndron në faktin se njeriu vetë bëhet adhurim, flije’, duke nisur nga vetë korpi i tij. Nuk është më fjala për sende që i flijohen Hyjit. Është vetë jeta jonë që duhet të bëhet lavd i Hyjit. Por si mund të ndodhë kjo? Përgjigjen na e jep verseti i dytë: “Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e përtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit…” (12,2): Dy fjalët kryesore të këtij verseti janë: “të shndërrosh “ e “ të përtërish”. Duhet të bëhemi njerëz të rinj me një jetë të re. Bota është gjithnjë në kërkim të risive sepse, me të drejtë, është gjithnjë e pakënaqur nga realiteti konkret. Pali na thotë: bota nuk mund të bëhet kurrë e re, pa njerëz të rinj! Vetëm në se do të ketë njerëz të rinj, do të ketë edhe një botë të re, një botë të përtrërirë e më të mirë. Në fillim nis përtëritja e njeriut. Kjo vlen për çdo njeri. Vetëm në se ne vetë bëhemi të rinj, bota bëhet e re. Kjo do të thotë se nuk mjafton t’i përshtatesh situatës aktuale. Apostulli na fton të mos i përshtatemi. Në Letrën tonë na thotë: mos iu nënshtroni skemës së epokës aktuale. Duhet t’i rikthehemi kësaj pike, duke reflektuar mbi tekstin e dytë, që dua ta meditoj sonte me ju. ‘Jo’-ja e Apostullit është e qartë e edhe bindëse për atë që vëren ‘skemën’ e botës sonë. Po atëherë, si mund t’u bëkemi të rinj? Jemi vërtetë të aftë për këtë risim? Kur përdor fjalën, që ka të bëjë me risimin, Pali nënkupton shndërrimin e tij: takimin e tij me Krishtin e ngjallur, takim për të cilin në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, thotë: “Në se ndokush është në Krishtin, është krijesë e re, e vjetra u zhduk; e ja, u bë e reja” (5,17). Aq tronditës ishte për Palin ky takim me Krishtin, sa të thotë për të ‘vdiqa’ (Gal 2,19; cfr Rom 6). Ai u bë i ri, u bë njeri tjetër, sepse nuk jeton më për vetveten e falë vetvetes, por për Krishtin e në Të. Gjithsesi, duhet kujtuar se në rrjedhë vitesh vërejti edhe se ky proces përtëritjeje e shndërrimi vijon gjithë jetën. Bëhemi të rinj, në se e lemë vetveten të formohemi nga Njeriu i ri, Jezu Krishti. Ai është personifikim i Njeriut të ri. Në Të ekzistenca e re njerëzore u bë realitet e ne mund të bëhemi me të vërtetë të rinj, vetëm në se e lëshojmë plotësisht veten në duart e Tij dhe e lëmë të na formojë, si të dëshirojë Ai vetë.

Pali e sqaron më tej këtë proces ‘ripunimi’, duke theksuar se bëhemi të rinj, në se e shndërrojmë mënyrën tonë të të menduarit. Ajo, që këtu është përkthyer me fjalët ‘mënyrë e të menduarit”, është termi grek ‘nous’. E është term i ndërlikuar. Mund të përkthehet me fjalët ‘shpirt’, ‘ndjenja’, ‘arsye’ e pikërisht edhe kështu siç është përkthyer ’mënyrë e të menduarit’ apo ‘mendësi’. Arsyeja jonë duhet të bëhet e re. Kjo na mrekullon. Kemi pritur, ndoshta, të bëhej fjalë për ndonjë mënyrë sjelljeje: për çka duhet të ndryshojmë në sjelljen tonë. Por jo: shndërrimi duhet të shkojë deri në fund të fundit. Mënyra si e shohim botën, si e kuptojmë realitetin – gjithë mendimi ynë, duhet të ndryshojë, duke nisur që nga themeli. Mendimi i njeriut të vjetër, mendësia e zakonshme, që s’dëshiron tjetër, veç pasurinë, mirëqenien, sundimin, suksesin, famën, e kështu me radhë. Po në këtë mënyrë ka një rreze veprimi tejet të kufizuar. Kështu, në analizën e fundme, në qendër të botës mbetet vetëm ‘uni, vetvetja jonë. Duhet të mësohemi të mendojmë më thellë. Si duhet ta kuptojmë këtë, Shën Pali na e thotë në pjesën e dytë të frazës: duhet të mësohemi të bëjmë vullnetin e Zotit, që ky vullnet të formojë vullnetin tonë. Në mënyrë që ne vetë të duam, atë që do Zoti, të pranojmë se çka do Zoti, është e mirë e e bukur. Është fjala, pra, për një kthesë themelore të drejtimit tonë shpirtëror. Hyji duhet të hyjë në horizontin e mendimit tonë: duhet të hyjë ajo që dëshiron Ai e mënyra si e shestoi Ai si botën, ashtu edhe mua. Duhet të mësojmë të marrim pjesë në mendimin e në vullnetin e Jezu Krishtit. E atëherë do të jemi njerëz të rinj, në shpirtin e të cilëve lind një botë e re.

Të njëjtin mendim për nevojën e përtëritjes sonë njerëzore, Pali e shpjegon më pas në dy fragmente të Letrës drejtuar Efezianëve, për të cilat duam të reflektojmë shkurtimisht. Në kapitullin e katërt të Letrës, Apostulli na thotë se me Krishtin duhet të rritemi, të jemi njerëzim që ka arritur pjekurinë. Nuk mund të jemi më “si foshnja, me të cilat luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë letrash të njerëzve, që me dredhi hapin rrugët e gabimit…” (4,14). Pali dëshiron që të krishterët ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre si besimtarë, të kenë një “fe që ka arritur pjekurinë”. Fjala ‘fe që ka arritur pjekurinë” në dhjetë vjetët e fundit është bërë parullë shumë e përhapur. Përdoret shpesh në kuptimin e sjelljes së atij, që s’ua vë më veshin Kishës e barinjve të saj, por zgjedh në mënyrë të pavarur çka duhet të besojë e çka jo – një fe, pra, ‘sipas dëshirës vetjake’. E na paraqitet si ‘guxim’ të shprehurit kundër Magjisterit të Kishës. Në të vërtetë për këtë nuk duhet ndonjë guxim i madh, sepse mund të jesh gjithnjë i sigurtë për duartrokitjet publike. Guxim duhet për t’u bashkuar me fenë e Kishës, edhe pse kjo fe i kundërvihet ‘skemës’ së botës bashkëkohore. E pikërisht këtë antikonformizëm në fe, Pali e quan ‘fe që ka arritur pjekurinë’. Ndërsa e cilëson si foshnjore rendjen pas erërave e rrymave të kohës. Pjekuria në fe kërkon, për shembull, impenjimin për mbrojtjen e jetës njerëzore që nga çasti i parë, duke iu kundërvënë kështu rrënjësisht parimit të dhunës, pikërisht edhe në mbrojtjen e krijesave njerëzore më të pambrojtura. Të fitosh pjekurinë në fe, do të thotë të pranosh martesën e një burri me një grua për gjithë jetën, siç urdhëron Krijuesi e ripohon Krishti. Njeriu që fiton pjekurinë në fe, nuk e lë veten të rrëmbehet nga çdo lloj rryme. Nuk shkon nga fryn era e modës. E di se këto erëra nuk janë frymë e Shpirtit Shenjt; e di se Shpirti Shenjt shprehet e shfaqet në bashkim me Jezu Krishtin. Gjithsesi edhe këtu Pali nuk ndalet thjesht tek mohimi, por na shoqëron drejt pohimit të madh. Fenë e pjekur, vërtetë të zhvilluar, e përshkruan në mënyrë pozitive me shprehjen: “ta dëshmosh me dashuri të vërtetën” (cfr Ef 4,15). Mënyra e re e të menduarit, dhuruar nga feja, shkon sidomos drejt së vërtetës. Fuqia e së keqes është gënjeshtra. Fuqia e fesë, fuqia e Hyjit, është e vërteta. E vërteta mbi botën e mbi vetveten bëhet e dukshme kur shikojmë Hyjin. E Hyji na bëhet i dukshëm në fytyrën e Jezu Krishtit. Duke shikuar Krishtin, mësojmë edhe një gjë tjetër: vërtetësia e dashuria janë të pandara. Në Hyjin, të dyja janë pazgjidhshmërisht një gjë e vetme: e pikërisht kjo është esenca e Hyjit. Prandaj për të krishterët vërtetësi e dashuri shkojnë krah për krah. Dashuria është provë e së vërtetës. Duhet të matemi gjithnjë me këtë kriter, në se duam që e vërteta të bëhet dashuri e dashuria të na bëjë njerëz të vërtetë.

Të njëjtën gjë Pali e thekson përsëri, në një këndvështrim tjetër. Në kapitullin e tretë të Letrës drejtuar Efezianëve, na flet për nevojën e forcimit të njeriut të brendshëm’(3,16). Kështu përforcon një argument, trajtuar edhe më parë, në situata të mundimshme, në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve: “Edhe në se njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita-ditës përtërihet”(4,16). Njeriu i brendshëm duhet të forcohet! - është një urdhër shumë i përshtatshëm për kohën tonë, në të cilën njerëzit shpesh herë e kanë shpirtin të zbrazët, gjë që i shtyn t’i besojnë efektit të drogës, duke e thelluar kështu më tej boshllekun që kanë në shpirt. Zbraztësia e brendshme – ligështia e njeriut të brendshëm – është një nga problemet e mëdha të kohës sonë. Duhet forcuar jeta shpirtërore, perceptueshmëria e zemrës, aftësia për ta parë e për ta kuptuar botën e njeriun me zemër, duke u nisur nga shpirti. Kemi nevojë për një arsye të ndriçuar nga zemra, që të mësohemi ta dëshmojmë me dashuri të vërtetën. Por kjo nuk mund të bëhet realitet, pa lidhjen e thellë me Zotin, pa jetën e lutjes. Kemi nevojë të takohemi me Zotin, që na jepet në Sakramente. E nuk mund të flasim me Zotin në lutje, në se më parë nuk e lëmë të na flasë Ai vetë, në se nuk ia dëgjojmë fjalën, që na e dhuroi. Lidhur me këtë, Pali uron: “Krishti banoftë në zemrat tuaja me anë të fesë, në mënyrë që, të rrënjosur e të themeluar në dashuri, të mund ta kuptoni, bashkë me të gjithë shenjtërit, çka është gjërësia, gjatësia, lartësia e thellësia e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit, që kapërcen çdo dije e kështu të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit” (cfr Ef 3, 17ss).
Dashuria shikon më larg se arsyeja e thjeshtë e këtë na e kujton edhe Pali me këto fjalë. E na kujton edhe se vetëm në bashkim me të gjithë shenjtorët, dmth në bashkësinë e madhe të të gjithë besimtarëve – e jo kundra ose pa të – mund ta njohim gjërësinë e misterit të Krishtit. Këtë ai e përshkruan me fjalë, të cilat duan të shprehin përmasat e kozmosit: gjërësinë, gjatësinë, lartësinë e thellësinë. Misteri i Krishtit ka gjërësi kozmike; Ai nuk i përket një grupi të vetëm, rrok mbarë Universin, në të gjitha përmasat. Ai e merr botën në duart e tij e e çon lart, drejt Hyjit. Etërit e Kishës, duke nisur nga Shën Ireneu i Lionit – dmth nga shekulli II – në fjalët gjërësi, gjatësi, lartësi, panë thellësinë e dashurisë së Krishtit, që nënkupton Kryqin.
“Dashuria e Krishtit rroku, në Kryq, thellësinë më të thellë – natën e vdekjes, e lartësinë më të lartë – lartësinë e vetë Hyjit. E mori në krahë hapësinë e gjërësinë e njerëzimit e të botës në të gjitha përmasat e tyre. Ai vijon gjithnjë ta rrokë mbarë Universin, të na rrokë ne, të gjithë.

Ta lusim, prandaj, të na ndihmojë ta kuptojmë sadopak gjërësinë e pafundme të dashurisë së tij. Ta lusim që dashuria e tij e e vërteta e tij ta prekin zemrën tonë. Të lutemi që Krishti të banojë në zemrat tona e të na bëjë njerëz të rinj, që e dëshmojnë të vërtetën me dashuri. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.