2009-07-01 17:54:21

U paraqit nga Shtëpia Botuese e Vatikanit libri që përmbledh katekizmat e Benediktit XVI kushtuar Shën Palit.


(01.07.2009 RV)Katekizmat e Benediktit XVI përmblidhen nga Shtëpia Botuese e Vatikanit në një vëllim të vetëm, të pasuruar edhe me një koleksion ikonografik. “Shën Pali Apostull” është titulli i librit, që u paraqit dje në Romë, nga kardinali Gjovani Lajolo, kryetar i Governatoratit të Qytet–Shtetit të Vatikanit, së bashku me drejtorin e Shtëpisë Botuese dhe drejtorin e Muzeve të Vatikanit.
Është vetëm një, nga botimet e shumta të SHBV për Apostullin e Popujve me rastin e Vitit që iu kushtua.
Libri përmbledh 20 katekizmat e Benediktit XVI kushtuar Shën Palit – i pari mbajtur më 2 korrik 2008 – i fundmi, më 4 shkurt 2009, për t’i ndihmuar besimtarët ta njohin më mirë Apostullin e Popujve, dashurinë e tij të pakufishme për njeriun, shpirtin e tij. Faqja e fundme e këtij cikli mbyllet me rrëfimin e martirizimit të Apostullit, fund i jashtëzakonshëm, që kthehet në fillim, sepse figura e Shën Palit – na kujton Papa – i kapërcen kufijtë e jetës dhe të vdekjes e me kalimin e viteve bëhet aq madhështore, sa të frymëzojë viganë të tjerë të Kishës, nga Shën Agostini, tek Shën Toma.
Katekizmat e plota të Papës kushtuar Shën Palit, të përkthyera në gjuhën shqipe, që mund t’i lexoni duke hapur faqen tonë të internetit në adresën : dubël vë, dubël vë, dubël vë.radiovaticana.org, së shpejti do të përmblidhen në një fletëpalosje, shoqëruar edhe me hollësira të tjera, që kanë të bëjnë me figurën e Shën Palit në botë e në Shqipëri, duke pasur parasysh se Apostulli i Popujve, është edhe ungjillëzuesi i fiseve të Ilirisë. E kjo dëshmon se Feja e krishterë tyre dhe e pasardhësve të tyre, shqiptarëve të sotëm, është me zanafillë apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.