2009-07-01 18:08:17

Kardinali Dxhivish përuroi shtatoren e Gjon Palit II në Poliklinikën ‘Gjemeli’ Intevistë me skulptorin Stefano Pieroti.


(01.07.2009 RV)“Mos kini frikë!”. Kjo thirrje, për një stinë të gjatë moto e Kishës, është edhe mesazhi i drejtohet kujtdo që shkon në Poliklinikën ‘Gjemeli’ të Romës. Simbolizon tiparet e Gjon Palit II, riprodhuar në shtatoren e madhe prej mermeri, vendosur në Sheshin e spitalit kapitolin. Ceremonia e përurimit u mbajt mbrëmë, në praninë e autoriteteve të Romës e të Poliklinikës si dhe të një të ftuari të veçantë.
Shtatorja e bardhë prej mermeri e Papës, tashmë i pret e i përcjell të shëndoshë e të sëmurë, që hyjnë e dalin vazhdimisht, gjithë ditën e lume, në Poliklinikën e Universitetit katolik. U përurua mbrëmë, në praninë e kardinalit Stanislao Dxhivish, kryeipeshkëv i sotëm i Krakovisë, ish-sekretar personal i Papës Vojtila, të rektorit të Universitetit, Lorenco Ornagi e të autoriteteve të tjera civile e kishtare, ndërmjet të cilëve, kryetari i bashkisë së Romës, Gjani Alemano: “Kjo shtatore – u shpreh ai - vendosur në zemër të kryeqytetit italian, shpreh dashurinë që patën gjithnjë romakët për Papën Gjon Pali II”.

Kardinali Dxhivish tha se Papa sigurisht duhet të jetë tejet i kënaqur, pse rri ditë-natë pranë të sëmurëve, të cilët vuajnë, nuk janë të sigurtë për të ardhmen, shpresojnë e presin…”.

Ndërsa skulptori, Stefano Pieroti, të cilin e pyetëm nga cila ngjarje i shkrepi shkëndija e frymëzimit, pas së cilës vendosi t’i hynte kësaj pune, sa të vështirë, aq edhe të bukur, u shpreh kështu:

Përgjigje: - Nga kujtimi i salikimeve të Gjon Palit II: më prekën aq, sa vendosa t’i kujtoj me një punim timin, që më pas m’u propozua edhe nga Poliklinika Gjemeli. E ajo që më ka prekur më shumë nga të gjitha, është humaniteti i tij, manifestimi i vuajtjes para syve të të gjithë botës, pa u fshehur; pa harruar edhe mënyrën e komunikimit të Tij me të rinjtë në Ditët Botërore të Rinisë – në të cilat mora pjesë edhe unë, me Kryqin e ‘Të Vdekurit të Ngjallur’ në dorë. Shumë, shumë gjëra më prekën, duke lënë shenjën e vet mbi këtë figurë të jashtëzakonshme, përjetësuar edhe në mermerin e bardhë të Karrarës. Një bllok shumë i madh, nga i cili u realizua figura me lartësi 5 metra, edhe kjo simbolike për kujtimin e Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.