2009-07-01 16:25:15

Ikona nga muzeu i Beratit e Korçës në ekspozitën “Shenjtorët të adriatikut” në Itali.


(01.7.2009 RV)Një ekspozitë e rrallë me ikona të shenjtorëve të Adriatikut, është hapur prej 18 Qershorit në kështjellën Svevo në Bari të Italisë. Ikonat e rralla që ekspozohen këtu janë të marra nga Muzeu "Onufri "në Berat dhe Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë.
Çelja e kësaj ekspozite të titulluar "Shenjtorë të Adriatikut" ishte inisiativë e projektit "Cooperation @ Heritage", i cili bashkoi në një rrjet të vetëm pasuritë muzeale të muzeve kombëtarë shqiptarë dhe atyre puliezë. Ky projekt ka funksionuar për një vit duke patur si synim kryesor takimin e kulturave të dy vendeve fqinje në breg të Adriatikut.
Në ceremoninë e zhvilluar për hapjen e ekspozitës ishte pjesëmarrës dhe Ardian Tana, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Duke përfaqësuar palën shqiptare, Tana vlerësoi rëndësinë e këtyre iniciativave për promovimin e kulturës së lashtë të shqiptarëve dhe ndryshimin e imazhit tek vizitori europian, si një vend që tashmë eksporton vlera kulturore dhe qytetare.
Ekspozita u mundësua falë programit Interreg Itali-Shqipëri, dhe me bashkëpunimin e MTKRS së Shqipërisë, Muzetë e Beratit dhe Korcës, Rajoni i Pulias, Drejtoria Rajonale e Pasurive Kulturore të Pulias, etj.
Ekspozita "Shenjtorët e Adriatikut" do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor 2009, duke shërbyer dhe si një mundësi për të evidentuar raportet që përmes detit, kanë formuar gjuhën artistike që përkthen ndjenjën fetare dhe besimin në tërësi të popujve në të dy anët e Adriatikut. Nga ATSH-ja.







All the contents on this site are copyrighted ©.