109-vjetori i lindjes së At Zef Valentinit (1900-1979), një jetë e tërë në shërbim
të popullit shqiptar.
(01.7.2009 RV) Veprimtaria e misionarëve jezuitë në Shqipëri u përqendrua kryesisht
në dy fusha: apostullim e kulturë. Në këto dy fusha ata shkrinë pa kursim të gjitha
energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale, morale, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme.
Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef Valentini, njeriu me jetë të lodhshme, jezuiti
të cilit iu deshën shumë mund, djersë e shqetësime, për të lënë pas vëllime e vëllime
për Shqipërinë e shqiptarët. Atë Zef Valentini lindi në Padovë më 1
korrik 1900, por jetoi më shumë në Shkodër, ku njohu virtytet racore, vlerat intelektuale
e shpirtin patriotik të popullit shqiptar. Këndej, krijoi një lidhje të fortë e të
sinqertë shpirtërore, e cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën fisnike që të punonte
për vendin e misionit. Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi së lypuri ndihma
e s’u zhyturi ndër arkiva, në kërkim të dokumenteve të reja për historinë e vendit,
i cili e konsideronte të padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar e duke
punuar përherë në një mjedis shqiptar. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij qenë Ernest Koliqi,
Karl Gurakuqi, Martin Camaj…, me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuem e të
vlerësueshëm për dobinë e kulturës shqiptare. I konsideruar si armik nga regjimi
komunist, i akuzuar si spijun i Vatikanit, i sulmuar me armën e tmerrshme të harresës,
Atë Valentini vijon të mbetet një nga figurat më të shquara në kulturën shqiptare.
E gjatë, lista e veprave që shkroi, duke nisur nga ‘Kolegja Saveriane ndër
50 vjetët e para”: ‘Biografi e Garcia Morenos”; përkthimi i ‘Polieucte’ të Kornejt
e ‘ Sauli’ të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve’; ‘Kronologji
mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit
në traditën juridike shqiptare”(1956), “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969);
“E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; Revista
“Letture” (Themeluar prej tij në vitin 1946 në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar
Ernest Koliqit); ‘Fishta’ (studim për Gjergj Fishtën) etj, etj. Kujtojmë se vetëm
në revistën ‘Shęjzat” botoi mbi njëqind artikuj e studime, që prekin të gjitha fushat
e kulturës. Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste
dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën shqiptare, atë
që pak shqiptarë e kanë bërë. Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e
si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët
që tha për Të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit
të vdekjes së Skënderbeut, në Romë: “Shqiptarë, duenie At Valentinin, se Ai ju dashunon
me zemër. Çmonie se Ai punon pa prâ, për t’ia ba të njohun botës vlerat shpirtnore
e artistike tueja. Ai asht i jueji, pse ia ka kushtue çashtjes suej menden e zemrën
e vet”.