2009-06-30 17:07:23

Papa kryeipeshkvijve metropolitë: bëhuni barinj shembullorë e forconi bashkimin me Pasardhësin e Shën Pjetrit


(30.06.2009 RV)RealAudioMP3 Një rast për të zgjatur gëzimin e përjetuar në Festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal: Benedikti XVI e përkufizoi kështu audiencën e mesditës së sotme me kryeipeshkvijtë metropolitë, që dje morën palion. Takimi u bë në Sallën Pali VI në Vatikan e sëbashku me prelatët ishin të pranishëm edhe familjarët dhe shtegtarët nga dioqezat përkatëse. Papa u ndal mbi kuptimin e Palios së Shenjtë, stola që u vihet metropolitëve, simbol i bashkimit që i lidh me Pasardhësin e Shën Pjetrit.
Të ardhur nga çdo kontinent, vuri re Benedikti XVI, kryeipeshkvijtë metropolitë tregojnë fytyrën e Kishës të përhapur në të gjithë botën. Në fjalën e tij, në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi të shfytëzojnë Vitin Meshtarak, që sapo ka filluar për të nxjerrë sa më shumë fryte. Italianëve u tha:
“Siamo all’inizio dell’Anno Sacerdotale…”
“Jemi në fillim të Vitit Meshtarak: duhet të keni kujdes të jeni barinj shembullorë, të zellshëm dhe plot me dashuri për Zotin e bashkësitë tuaja. Kështu, mund të udhëhiqni e t’i mbështesni nxehtësisht meshtarët, bashkëpunëtorët tuaj të parë në shërbimin pastoral, dhe të bashkëpunoni me efikasitet në përhapjen e Mbretërisë së Zotit në tokën e dashur italiane”.
Më pas Papa përshëndeti ipeshkvijtë metropolitë dhe shtegtarët e gjuhës franceze. Ai theksoi se palio është shenjë bashkimi, jo vetëm për ipeshkvijtë:
“Que ce signe soit aussi pour les prêtres et les fidèles... ”
“Qoftë kjo shenjë – pohoi – edhe për meshtarët e besimtarët e dioqezave tuaja thirrje për të konsoliduar gjithnjë e më shumë bashkimin e vërtetë me barinjtë e ndërmjet krejt anëtarëve të Kishës”.
Duke u folur shtegtarëve të gjuhës angleze, Ati i Shenjtë theksoi se palio u kujton ipeshkvijve përgjegjësinë për të qenë barinj të grigjës së krishterë, duke ndjekur zemrën e Krishtit. Kryqet prej mëndafshi të zi, vazhdoi në gjuhën spanjolle, u tregojnë ipeshkvijve se duhet të jenë gjithnjë e më tepër të ngjashëm me Jezu Krishtin:
“Siguiendo su huellas de Buen Pastor, sed siempre signos…”
“Duke ndjekur gjurmët e Bariut të Mirë, metropolitët qofshin gjithnjë shenjë bashkimi në mesin e besimtarëve, duke konsoliduar lidhjet me Pasardhësin e Shën Pjetrit”.
Një mendim të veçantë, Papa ia kushtoi kryeipeshkvit të Lvivit të Latinëve, duke e falenderuar për shërbimin që i ka bërë Kishës dhe përfundoi duke kujtuar festën e sotme të Protomartirëve të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.