Më 30 qershor kalendari kishtar përkujton Martirët e parë të Romës.
(30.6.2009 RV)Sot më 30 qershor Kisha
kremton festën e martirëve të parë të Romës, gjurmët e të cilëve janë në 15 katakombet
në qendër e në jug të Italisë. Në katakombe njihemi me dëshminë e besimtarëve të bashkësive
të para të krishtera, martirëve të Kishës së parë, që na lanë si trashëgim gjakun
e tyre të derdhur për Krishtin. Dhe e derdhën këtë gjak në rrethana rrënqethëse
e tejet tragjike. Disa, të veshur me lëkura egërsirash, iu hodhën qenëve të uritur,
të cilët i shqyen sakaq. Të tjerë u kryqëzuan, si Mësuesi Hyjnor, Jezu Krishti Shpëtimtar.
Të tjerë, akoma, u ngulën në hunj e pasi i lyen me peshkve, u kthyen në pishtarë për
të ndriçuar netët romake. Rrëfimi makabër i Kornelio Tacitit, në librin
XV të Analeve të tij, përmbledh gjithë këtë mizori, gjithë këto mundime që provuan
të krishterët, duke nisur nga 19 korriku i vitit 64 mbas Krishtit, kur në Romë shpërtheu
një zjarr i tmerrshëm, që shkrumboi një pjesë të mirë të kryeqytetit të perandorisë
romake, asokohe nën sundimin e zjarrvënësit Neron. Eshtrat e tyre u mbartën
me nderim të thellë dhe u varrosen në 15 katakombe të krishtera që gjinden në Romë
e në Lacio, në Toskanë, në Umbrie, në Kampanjë e në Sicili. Atje pushojnë në Tënzonë
nën rrugët e banesat, që ngrihen mbi eshtrat e tyre, ku ecin, punojnë e jetojnë njerëzit
e shekullit të globalizimit. Njerëz përmbi eshtra, të cilat nga nëndheu tregojnë histori
sa të lemerishme, aq heroike e frymëzuese, të cilat vijojnë të përsëriten në anë të
ndryshme të botës, sepse Neroni riduket herë në një skaj e herë në një skaj tjetër
të Planetit. E bota shqiptare e kupton fare mirë ç’do të thotë të kryqëzohesh e të
kthehesh në pishtar simbolik, për të ndriçuar në mes të errësirës së diktaturës, kur
njerëzit rrezikohen të rrëzohen, sepse nuk shihet asnjë dritë. Eshtrat e kampionëve
romakë të fesë pushojnë ndër sirtarët e hapura në muret e katakombeve, që simbolikisht
quhen ‘bujtina’, ndërsa shpirtat e tyre tashmë gëzojnë jetën e vërtetë, pasi e kaluan
me sukses provën e madhe, martirizimin për shkak të fesë së tyre në Krishtin e Gjallë.
E si dëshmi e rikujtim i kësaj prove kaq të vështirë, në katakombett romake
të Shën Kalistit, para dy vitësh Komisioni Papnor i Arkeologjisë Kishtare ka organizuar
leximin skenik të biografisë së disa martirëve të epokave e vendeve të ndryshme, duke
nisur nga Shën Tarçizi, tek Shën Tomas Mori. Nismë me vlera, tepër aktuale, që na
kujton martirët tanë, të cilët u torturuan mizorisht jo shumë kohë më parë, siç qenë
torturuar martirët e lashtë, të cilët u dogjën me zjarr, u mbytën e u flakën në gropat
e ujërave të zeza, u vranë pasi u kishin sharruar këmbë e duar, u lanë të pushkatuar,
mbi grumbujt e plehut, që t’i shikonin të gjithë e të tmerroheshin nga pamja e tyre
çnjerëzore, deri tek martirët e kohëve tona që u vranë me torturat më të përbindshme
dhe u zhdukën pa gjurmë, ndoshta u hedhën në gropa të panjohura, në rrethinat e qyteteve
të mëdha e të vogla apo në fusha e male në zona të thella. Në trevat shqiptare
s’ka katakombe, qytete të vdekurish që shtrihen pafund qyteteve të të gjallëve, por
gjithsesi nga varret e panjohura nën dheun e trojeve shqiptare, kur e kur ndjehet
zëri i atyre që derdhën gjakun për fenë në Krishtin, për dashurinë ndaj Krishtit
Zoti e ndaj popullit e atdheut, tani një numër prej tyre janë në pritje për t’u lartuar
në nderimet e elterit, ashtu si martirët e kohëve të para të krishterimit, sepse
edhe këta e dhanë të njëjtën dëshmi për Krishtin e njeriun. Do të ishte tepër prekës
leximi skenik i biografive të martirëve shqiptarë në skenat e varrezave, ku pushojnë
në Tënzonë. Këtë na kujtuan sot Martirët e parë të Romës së krishterë!