2009-06-29 19:08:18

Teheran: nuk duam konfliktin diplomatik me Londrën


(29.06.2009 RV)RealAudioMP3 Ulet pak tensioni politik ndërmjet Iranit dhe Britanisë së Madhe, pas lirimit të 5 nga 9 punonjësit iranianë të ambasadës britanike, arrestuar dje me akuzën e pjesëmarrjes në protestat e ditëve të kaluara. Ndërkaq, Këshilli i Rojeve shpalli se ka filluar rinumërimi i 10% të votave. Rezultati duhet të njoftohet brenda 24 orëve. Si kanë reaguar Evropa dhe Britania e Madhe para akuzave që u ka drejtuar atyre Irani? Të dëgjojmë korrespondentin e agjensisë italiane të lajmeve ANSA në Teheran, Alberto Xakonato:
Reagimi ka qenë shumë i fuqishëm. Britania e Madhe sulmohet prej ditësh nga autoritetet e Teheranit, që akuzojnë Londrën se ka organizuar një komplot të vërtetë kundër zgjedhjeve iraniane. Britania e Madhe përgjigjet se kjo është vetëm një përpjekje për ta larguar vëmendjen nga gjendja e brendshme. Ekziston një federatë për të drejtat e njeriut që flet për dymijë të arrestuar e për qindra të zhdukur, persona që akoma nuk dihet nëse janë arrestuar apo u ka ndodhur diçka tjetër.
Pavarësisht nga lajmet e pakta që mbërrijnë nga Irani, krijohet përshtypja se populli iranian do të vazhdojë ta kundërshtojë Ahmadinexhadin…
Opozita në sheshe, siç u pa javën e kaluar do të jetë e vështirë, pasi shtypja e protestave ka qenë shumë e egër. Por sigurisht, do të ketë opozitë politike e sidomos, kandidati i moderuar Musavì vazhdon të thotë se nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve e madje, nuk do të pranojë as rinumërimin e vetëm 10% të votave. Ai vazhdon të kërkojë anullimin e plotë të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se ndeshja është në nivelet më të larta të regjimit iranian, ndërmjet udhëheqësit suprem Khamenei dhe ish-presidentit Rafsanxhanì, ka mundësi që kompromisi të jetë i pashmangshëm. Por, deri në këtë çast, akoma nuk shihet ndonjë rrugëzgjidhje.







All the contents on this site are copyrighted ©.