Simboli i Palio që sot në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit Papa u dorëzoi 34 kryeipeshkvijve
metropolitë.
(29.06.2009 RV) ) Sot paradite, , Papa ka kryesuar në bazilikën e Vatikanit
Meshën shenjte në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në bashkëkremtim me
34 kryeipeshkvij metropolitë, të cilëve u vendosi mbi supe palion. Simboli
i palos gjatë historisë deri sot. Ky rit tradicional i liturgjisë papnore,
pra riti i dorëzimit të palos që është një lloj shalli i bardhë e që vihet mbi supe
të çdo kryeipeshkvi metropolit, është një shenjë e lashtë, sidomos në Perëndim, ku
ka qenë karakteristike për papën. E dimë nga të dhënat historike se Papa e përdorte
palion që në shekullin IV. Ka shumë mundësi që palio të jetë simbol dinjiteti, që
u dorëzohej perandorëve e që, pastaj me kohë, u kaloi ipeshkvijve. Më vonë Roma nisi
t’ua japë vetëm ipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e Gregorit VII, menjëherë
pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e ipeshkvijve.
Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë palion nga
Papa. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë
nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70, u bë reforma e palios,
sipas vendimit të Papës Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet vetëm kryeipeshkvijve
metropolitë e shumica e tyre e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër
e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen shpirtërore e kishtare të atij ipeshkvi
që e merr palion me Selinë Apostolike dhe me Papën. Ç’simbolizon palio për
ditët tona? Simbolika e palios ka ardhur duke u pasuruar në rrjedhë shekujsh.
Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte delen e humbur, ose më
mirë të themi, bariun që e mban delen e humbur mbi supin e majtë. Kjo palio jepet
edhe tani nga Benedikti XVI. Është palio që e gjejmë në gjithë ikonografinë, në të
gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë. Më pas, si kaloi mijëvjeçari i parë, palio
ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi të vihet në
formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar kështu një kuptim të ri. Kryqat
që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Krishtit Zot, kryqat e kuq. Karficat
morën kuptimin e tri gozhdave të kryqëzimit të Krishtit. Kështu palio mori kryesisht
domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë. Tani i kemi të dy
këto elemente së bashku. Siç dihet Palio endet me lesh qengji dhe vijon të simbolizojë
delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqa. Të gjitha këto shenja tregojnë se Bariu
i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta, për shpëtimin e tyre.
Palio
është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës. Kujtojmë
se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa
bekon dy qingja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur
me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove
të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor, për t'u vendosur, më pas, në
një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty,
mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë
të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit. Shumë e pasur është simbolika e palios
- një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe
të qindisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset
mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri
karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae. Palio, që simbolizon
delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë,
është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë.
Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa
palion. Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet
në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga
ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit
ka bërë betimin për besnikëri. Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale
të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak,
në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet
e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i
dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër
metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë
gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma
e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion
me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales
të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.