(29.06.2009 RV)Himni i dashurisë (1 Kor 13, 1-13), shkruar nga Shën Pali Apostull,
i cili u kremtua sot së bashku me Shën Pjetrin, na mëson se kjo ndjenjë fisnike është
më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i
njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi
malet, po ç’ vlerë ka, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni
i dashurisë”: 1Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e
të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë, do të isha porsi
bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. 2 Po
ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e
të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën
të mund t’u ndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do
të isha asgjë! 3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe
po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk
do të më vlente asgjë! 4 Dashuria është zemërgjërë, është
e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk
krenohet 5 nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon
interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, 6
nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. 7
Arsyeton gjithçka, beson gjithçka shpreson gjithçka, duron
gjithçka. 8 Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë
mbarojnë, gjuhët shuhen, njohuritë marrin fund. 9
Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. 10
Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund. 11
Kur isha fëmijë flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja
si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. 12
Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por
atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë
do të njoh plotësisht, siç jam i njohur. 13
Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria -këto
të trija- Porse më e madhja ndër to është dashuria.