2009-06-29 20:22:54

QARKORE E KONFERENCES IPESHKVNORE TE SHQIPERISE
ME RASTIN E ZGJEDHJEVE



Tiranë, 28 maj 2009
Nr. Prot. 45/2009



QARKORE E KONFERENCËS IPESHKVNORE
ME RASTIN E ZGJEDHJEVE

Të dashur besimtarë,


në këtë periudhë parazgjedhore, gjatë së cilës partitë politike paraqesin programet e tyre për qeverisjen e vendit, nuk mungon vëmendja qytetare ndaj garës politike dhe nuk mungon përfshirja për të mbështetur këtë apo atë program.


Koncili i Vatikani II thotë: “Është krejtësisht në përshtatje me natyrën njerëzore që të gjenden struktura juridike-politike në gjendje për t’u ofruar gjithnjë e më mirë qytetarëve, pa asnjë diskriminim, mundësinë efektive për të marrë pjesë aktive qoftë në përpunimin e themeleve juridike të bashkësisë politike, qoftë në përcaktimin e fushës së veprimit e të kufizimeve të organizmave përkatës, qoftë në zgjedhjen e qeveritarëve” (GS 75). E në enciklikën Centesimus Annus lexojmë: “Kisha e vlerëson sistemin e demokracisë, sepse siguron pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet politike” (n. 46).


Të krishterët duhet të marrin pjesë në jetën politike të vendit, duke u mbështetur në parimet ungjillore të besnikërisë ndaj Zotit, të shërbimit ndaj së vërtetës dhe të dashurisë ndaj të afërmit. Të mbështetur mirë në këto themele, duhet të kenë kujdes që të mos rrëmbehen nga emocionet që ngjallë gara të cilat ndonjëherë shtytje deri në armiqësi dhe në qëndrime të padrejta që bien ndesh me dinjitetin njerëzor. Kisha na mëson se “respekti dhe dashuria duhet t’u jepet edhe atyre që mendojnë apo veprojnë ndryshe nga ne në gjërat shoqërore, politike e deri edhe fetare, sepse me sa më shumë njerëzi dhe dashuri depërtojmë në mënyrat e tyre të të menduarit, aq më lehtë mund të ndërtojmë dialogun me ta” (GS 28).
Gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve demokraci vëmë re se është rritur ndjeshëm kultura e dialogut në vendin tonë dhe vlerësojmë përpjekjet qytetare për të promovuar një administrim sa më të drejtë të realiteteve të përbashkëta. Pavarësisht përpjekjeve dhe vullnetit të mirë të shumë njerëzve në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike gjatë gjithë këtyre viteve, nuk mund të harrojmë vështirësitë dhe vuajtjet që kanë shkaktuar varfëria e trashëguar, mungesa e kulturës demokratike për shkak të diktaturës së gjatë dhe krimit të organizuar. Megjithatë, si të krishterë, pa e humbur sensin e kritikës ndaj realitetit, duhet të mbajmë të zgjuar shpirtin pozitiv dhe shikimin me optimizëm të ngjarjeve brenda të cilave zhvillohet jeta jonë shoqërore.


Kontributi i besimtarit në jetën politike qëndron pikërisht ne vendosmërinë për t’u angazhuar në politikë me qëllim për të ndërtuar dhe jo për të shkatërruar, për të bashkuar e jo për të ndarë. Ky kontribut fillon në zbatimin e kulturës demokratike gjatë fushatës elektorale, shprehet në votimin me ndërgjegje të pastër për atë program dhe ata kandidat që i shërbejnë në mënyrë më të bindshme të mirës së përbashkët e janë më afër parimeve ungjillore mbi të cilët mbështetet jeta jonë dhe vazhdon në bashkëpunimin e sinqertë me organet e zgjedhura ligjërisht për qeverisjen e vendit.


Duke u lutur që Zoti të ndriçojë mendjet e të gjithë atyre që kanë përgjegjësi në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe të drejtojë zgjedhësit e të zgjedhurit, urojmë që Ai të bekojë secilin prej jush e mbarë vendin tonë.



Ipeshkvijtë tuaj





Imzot Rrok Mirdita,
Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë – Durrës President i Konferencës Ipeshkvnore

Imzot Angelo Massafra,
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër – Pult
Zv. President i Konferencës Ipeshkvnore

Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkëv i Sapës
Sekretar i Përgj. i Konferencës Ipeshkvnore
Imzot Cristoforo Palmieri,
Ipeshkëv i Rrëshenit

Imzot Hil Kabashi,
Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut

Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës

Imzot Georg Fremdo, Ipeshkëv ndihmës i
Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë - Durrës







All the contents on this site are copyrighted ©.