2009-06-29 17:23:31

Mbrëmë Papa foli për rezultatet e një studimi, bërë në varrin e Shën Palit: eshtrat janë të Shenjtit.


(29.06.2009 RV)RealAudioMP3 Gjatë homelisë, mbajtur në kremtimin e djeshëm të Lutjeve Mbrëmësore, që shënuan mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit, Papa njoftoi se është bërë një studim shkencor në sarkofagun e Apostullit të Popujve, duke theksuar se copëzat e eshtrave, të ruajtura në të, janë pikërisht të Shën Palit.
Ky sarkofag, që nuk është hapur asnjëherë në rrjedhë shekujsh, kohët e fundit u shpua, për të krijuar kushtet e depërtimit të një sonde të posaçme, e cila analizoi përmbajtjen e tij. Sipas analizës, në sarkofag u gjetën gjurmë të një pëlhure liri ngjyrë purpuri, qindisur me ar dukati dhe të një pëlhure të kaltër, endur edhe kjo, me fije liri. U gjetën edhe kokërrza kemi të kuq dhe lëndë proteinike e gëlqerore. Por jo vetëm kaq:
“Copëzat e vogla të eshtrave, të cilat iu nënshtruan analizës së karbonit 14 nga ana e specialistëve, pa e ditur nga vinin, rezultoi se i përkasin një njeriu që ka jetuar ndërmjet shekullit I e II. Kjo duket se konfirmon traditën e njëzëshme e të pakundërshtuar, sipas të cilës këtu ruhen pikërisht eshtrat e Palit Apostull. E gjithë kjo e mbush shpirtin tonë me emocion të thellë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.