2009-06-29 17:23:56

Kardinali Toran në Turqi për mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit: të krishterët të jenë dëshmitarë të besueshëm e guximtarë të Jezusit.


(29.06.2009 RV) “Mos harroni se jeni një pakicë nga cila, në këtë vend të madh e të pasur me histori, të gjithë presin diçka të ndryshme prej jush. Prandaj duhet të jeni të palëkundur në fe”. E akoma: “Kishat tona nuk janë muze e as të krishterët, copa antikuariati”. Kështu u shpreh kardinali Zhan-Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, sot paradite, në Tars, vendlindje e Shën Palit, ku ishte për kremtimet përfundimtare të Vitit kushtuar Apostullit të Popujve, si i dërguar i Benediktit XVI.
Për të njëjtin qëllim, Hirësia e Tij kremtoi dje në Antioki një Meshë Shenjte, gjatë së cilës i nxiti të krishterët të promovojnë dialogun e bashkimin.
Në Antioki kremtimet, tejet të thjeshta, u mbajtën në vendet e kultit të dy konfesioneve të pranishme në qytet: në Oborrin e Misionit katolik dhe në Kishën ortodokse. Liturgjinë e kryesoi kardinali Toran, në bashkëkremtim me 5 ipeshkvij, me barinjtë maronitë e filokatolikë dhe me 28 meshtarë. Kardinali shprehu kënaqësinë e tij për bashkimin e katolikëve e të ortodoksëve rreth Fjalës së Zotit e bukës së elterit të Tij, për t’i ftuar, më pas, besimtarët katolikë, që jetojnë në Turqi, ta dëshmojnë me guxim fenë e tyre.
Në pëfundim të kremtimit, kardinali, me ipeshkvijtë e meshtarët, shkoi në Kishën ortodokse, për të marrë pjesë në Lutjet e kënduara Mbrëmësore, kryesuar nga Patriku Ekumenik ortodoks, Bartolomeu I.
Solemn edhe kremtimi i Tarsit, me praninë e 6 ipeshkvijve e të 60 meshtarëve. Gjithsesi, edhe gjatë ceremonisë, u ndje fort shqetësimi për ardhmërinë e Kishës, ndërtuar në qytet për nder të Shën Palit: do t’i besohet Vikariatit apostolik të Anatolisë, siç është premtuar disa herë nga autoritetet kombëtare e lokale, apo do të vijojë të mbetet muze? “E kërkojmë edhe një herë – tha imzot Luigji Padoveze, vikar apostolik i Anatolisë - sepse Tarsi, pas Shenjtërores mariane të Meryem Ana të Efezit, është bërë vendi i dytë i shtegtimeve në Turqi, e sidomos, sepse është vend kulti për katolikët. Në se do të vijojë të mbetet muze, shtegtarët katolikë nuk do të kenë vend për kultin e tyre e mund edhe ta shlyejnë Tarsin nga lista e shtegtimeve të tyre”.
Përgjigjja përfundimtare për fatin e Kishës do të jepet nesër, e mbarë katolikët e botës urojnë që të jetë pozitive.







All the contents on this site are copyrighted ©.