Benedikti XVI nënshkruan Enciklikën e tij të tretë “E vërteta me dashuri”. Njoftimi,
në Engjëllin e Tënzot, pas Meshës së solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.
(29.06.2009 RV)Në solemnitetin
e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI kryesoi, sot paradite, në Bazilikën
e Vatikanit, kremtimin e Eukaristisë me disa kryeipeshkvij metropolitë, të cilëve
u vuri mbi supe Palion e Shenjtë. Si çdo vit, në kremtim ishte i pranishëm një delegacion
i Patriarkanës Ortodokse Ekumenike. Papa uroi që “nderimi i përbashkët i këtyre martirëve,
të jetë peng për një bashkim gjithnjë më të plotë e më të ndjerë ndërmjet të krishterëve”.
Pastaj, në lutjen e Engjëllit të Tënzot njoftoi se pikërisht sot, nënshkroi Enciklikën
e tij të tretë, kushtuar temave shoqërore, që do të shohë së shpejti dritën e shtypit.
Enciklika
titullohet “E vërteta me dashuri”.Është, pra, ftesë për
ta thënë të vërtetën me dashuri. Papa shpjegoi se në të trajton tematikat shoqërore,
që përmban ‘Populorum progressio’, shkruar nga shërbëtori i Zotit, Pali VI, në vitin
1967: “Ka për qëllim të thellojë disa aspekte të zhvillimit të përgjithshëm
në epokën tonë, parë në dritën e së vërtetës, të thënë me dashuri. Ia besoj lutjes
suaj këtë kontribut të ri, që i jep Kisha njerëzimit, në përpjekjen e saj për progresin
e qëndrueshëm, plot respekt për dinjitetin njerëzor dhe për kërkesat e njëmendta të
të gjithëve”. Duke kujtuar Vitin kushtuar Shën Palit, që përfundoi dje,
e duke komentuar Letrën e parë të Shën Pjetrit Apostull, Benedikti XVI theksoi impenjimin
e meshtarëve, lidhjen ndërmjet fesë e arsyes dhe nevojën e kujdesit për shpirtin,
që nuk duhet harruar, në se presim shpëtim. Shën Pjetri e quan Krishtin ‘bari e rojtar
të shpirtrave’ e Benedikti XVI shpjegoi kuptimin e fjalës ‘rojtar’ dhe vlerën që ka
kjo fjalë në Vitin kushtuar meshtarëve: “Sigurisht nuk është fjala
për mbikqyrje nga jashtë, siç do të bënte një roje burgu. Fjala është për një shikim
nga lart – për shikimin që niset nga lartësia e Hyjit. Shikim në perspektivën e Hyjit
e shikim me dashuri, me dëshirën për t’u vënë në shërbim të tjetrit, për ta ndihmuar
të bëhet vërtetë vetvetja”. Kështu u shpreh Papa e shtoi: “Kur
shikon duke u nisur nga Zoti, krijohet vizioni i së tërës, shikohen rreziqet, por
edhe shpresat e mundësitë”. Në se Krishti është ipeshkvi i shpirtrave –
shpjegoi Ati i Shenjtë – qëllimi është të shmanget rreziku i varfërimit të shpirtit
të njeriut: “Jezusi, ipeshkvi i shpirtrave, është prototipi i çdo
shërbimi ipeshkvnor e meshtarak. Në këtë perspektivë, të jesh ipeshkëv, të jesh meshtar,
do të thotë të mbash qëndrimin e Jezusit. Të mendosh, të shikosh e të veprosh duke
u nisur nga lartësia e Tij. E, duke u nisur nga Ai, të jesh i gatshëm për t’i shërbyer
njerëzve, që të gjejnë jetën”. Benedikti XVI u kërkon meshtarëve të jetojnë
në përkim me atë që predikojnë: “Nuk mjafton të flasësh. Barinjtë duhet të
bëhen model për grigjën”. Papa foli për fenë e krishterë, duke nënvizuar
se feja ‘është shpresë, që hap rrugën drejt së ardhmes” E ripohoi me forcë lidhjen
e ngushtë ndërmjet fesë e arsyes: “Feja buron nga Arsyeja e amshuar,
që hyri në botën tonë e na dëftoi Hyjin e vërtetë. E tejkalon aftësinë e arsyes sonë,
ashtu si dashuria e tejkalon mendjen. Por feja i flet arsyes e në ballafaqimin dialektik,
mund t’i bëjë ballë arsyes”. Më pas Papa kujtoi përsëri meshtarët: “Si
meshtarë të kohës sonë, e kemi për detyrë ta kuptojmë ne vetë të parët, arsyen e
fesë. E kemi për detyrë të mos e lëmë të mbetet thjeshtë traditë, por të pranohet
si përgjigje, që i jepet pyetjeve tona”. Pasi pohoi se qëllimi i fesë së
krishterë është shëlbimi i shpirtrave, Benedikti XVI theksoi disa nga rrezqiet e kohës
sonë: “Në botën e ligjërimit e të mendimit të krishterimit të sotëm,
ky është një pohim i çuditshëm, madje, për ndokend, edhe shkandullues. Fjalës ‘shpirt’
i ka dalë nami i keq - tha Papa, e vërejti: Është më se e vërtetë
se moskokëçarja për shpirtrat, varfërimi shpirtëror i njeriut, nuk shkatërron vetëm
individin, por kërcënon fatet e njerëzimit në tërësinë e tij. Pa shërimin e shpirtrave,
pa shërimin e njeriut, duke u nisur nga shpirti i tij, nuk mund të ketë kurrfarë shpëtimi
për njerëzimin!”. Sëmundjen e vërtetë të shpirtrave Shën Pjetri e cilëson
si padije – dmth si mosnjohje e Hyjit. E ai, që nuk e njeh Hyjin, ai që, së paku,
nuk e kërkon çiltërsisht, mbetet jashtë jetës së vërtetë” – theksoi Papa. Përsa
i përket temës së shëlbimit të shpirtrave, Benedikti XVI nënvizoi se “është bindja
ndaj së vërtetës ajo, që e bën të pastër shpirtin e njeriut”.
Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot, Ati i Shenjtë foli për ‘peshkatarin e Galilesë, Shën Pjetrin, i pari që
e dëshmoi fenë në Krishtin” dhe për ‘salvuesin e të krishterëve, Shën Palin, që më
pas kumtoi shëlbimin e mbarë njerëzimit”. Pastaj , duke u drejtuar fjalën besimtarëve
romakë, si bari i grigjës, porositi: “Si bariu juaj, ju nxis t’i qëndroni
besnikë fesë së krishterë e të mos i përshtateni mendësisë së kësaj bote - siç u shkruante
Apostulli i Popujve pikërisht të krishterëve të Romës - por të shndërroheni e të përtëriheni
vazhdimisht nga Ungjilli, për të ecur në rrugën, që është vërtetë e mirë, në rrugën,
që i pëlqen Zotit”. E duke vijuar t’i drejtohet posaçërisht bashkësisë
dioqezane të Romës, Benedikti XVI kujtoi se Provania hyjnore ia besoi pikërisht
kujdesit të tij e u lut që Roma ta mbajë të gjallë traditën e vet të krishterë, duke
ruajtur trashëgiminë shpirtërore dhe pasurinë kulturore e duke krijuar përherë një
atmosferë plot me dashuri për njeriun e për vlerat ungjillore”.