(28.06.09 RV)Përfunduan në Shqipëri
zgjedhjet parlamentare, të cilat përveç caktimit të 140 deputetëve, ishin edhe një
provë për aftësinë e Tiranës që të arrijë standartet evropiane, të mbetura në letër
në votimet e mëparshme. Nëse ka diçka që i bashkon dy koalicionet kryesore në garë,
Aleancën e Ndryshimit të Sali Berishës dhe Bashkimin për Ndryshim të Edi Ramës, është
pikërisht fjala “ndryshim”, si për të treguar nevojën e një rinovimi politik thelbësor,
në panoramën e partive shqiptare. 500 vëzhgues të huaj e 3 mijë vendorë, sëbashku
me 5.500 policë në terren, nuk mundën të shmangnin krejtësisht incidentet, që nga
përdorimi i mikrokamerave dhe llambave me ndriçim ultraviolet tek braktisja e kutive
të votimit dhe bllokimi i rrugës në 4 fshatra në Fier e Tepelenë. Vetëm probleme sporadike,
deklaroi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Natyrisht për rezultatet zyrtare duhet të
presim, por të provojmë ta shohim gjendjen e Shqipërisë me sytë e botës. Të dëgjojmë
analistin italian të Qendrës së Studimeve të Ministrisë së Mbrotjes, Paolo Kuerça: Është
një situatë, që paraqet një sërë elementesh paqëndrueshmërie, sidomos zgjedhore, në
krahasim me të kaluarën. Nëse kujtojmë Shqipërinë e fundit të viteve ’90 ose edhe
të disa vjetëve me parë, sot gjejmë një vend më të mirë, më të qëndrueshëm për standartet
e rajonit. Por ka ngadalësime në planin ekonomik. Rritja e vrullshme e ekonomisë gjatë
viteve të kaluara është ngadalësuar për shkak të krizës ekonomike. A ka rrezik
tensioni pas zgjedhjeve? Kujtojmë se Shqipëria mban një rekord shqetësues për
mospranimin e rezultatit të votimeve nga ana e të humburve. Në çaste të caktuara historike,
kjo ka sjellë kriza të ndryshme në vend. Evropa ka qenë tema mbizotëruese
e krejt fushatës zgjedhore… Pas fundit të komunizmit, Bashkimi Evropian u kthye
në një lloj pike referimi. Tani Shqipëria e ka arritur me meritë objektivin e pjesëmarrjes
në NATO, prandaj Bashkimi Evropian mbetet ëndërra më e madhe, si për zhvillimin ekonomik
të vendit, ashtu edhe për t’u garantuar qytetarëve mundësi më të mëdha për qarkullim.
Por ky objektiv politik, që dëshirohet e mbrohet aktualisht me flamur, nuk është akoma
i arritshëm, po të kemi parasysh standartet e Shqipërisë. Si konsiderohet
vendi nga ana e Brukselit, a është partner i besueshëm? Mbi disa çështje me
natyrë doganore apo fiskale, Bashkimi Evropian ka prirjen ta mbajë Shqipërinë në një
lloj “liste të zezë”, si vend që nuk përmbush kërkesat. Por, në përgjithësi, konsiderohet
si partnere e besueshme, me një rrugë akoma të gjatë për integrimin e plotë. Natyrisht,
shpejtësia e përshkimit të kësaj rrugë është e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian.
Prandaj, të themi, porta është e hapur. Edhe investimet e shumta të Italisë, për shembull,
në sektorin energjitik, janë një sinjal i mirë për nivelin e besueshmërisë së vendit.
Por hapat janë të vogla.