Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit: Benedikti XVI do t’u vendosë palion e shenjtë
34 kryeipeshkvijve.
(28.06.2009 RV)Nesër, në orën 9.30, Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit,
Meshën Shenjte në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Qytetit të Amshuar.
Me të do të bashkëkremtojnë 34 kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, të cilëve Benedikti
XVI do t’u vendosë mbi supe palion e shenjtë, stolë prej leshi të bardhë, simbol
i pushtetit ipeshkvnor, ushtruar në bashkim të plotë me Kishën e Romës. Festa e nesërme
u krijon të gjithë besimtarëve mundësinë të reflektojnë mbi dëshminë që dhanë dy personalitetet
e mëdha të Kishës, dy Apostujt. Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti
i zgjedhur nga Zoti", të nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz
feje e dashurie, pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për
një mision të përbashkët, për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës.
Për Të ata do të derdhnin edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë
emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit
simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër
botë.