2009-06-28 20:04:39

Në Engjëllin e Tënzot Papa i porositi meshtarët të jenë të shenjtë, dëshmitarë guximtarë të Krishtit, gati për të dhuruar edhe jetën për Zotin e për Kishën.


(28.06.2009 RV)RealAudioMP3 Meshtarë të shenjtë, të vetëdijshëm se e mbartin thesarin e paçmuar të shugurimit në enë prej balte e gati për ta dëshmuar deri në martirizim bukurinë e jetës, që i kushtohet plotësisht Krishtit e Kishës: ky është profili i meshtarit besnik, skicuar nga Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Sigurisht, Kisha mund ta bindë botën vetëm me dëshmitarë të tillë.
Natën e Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Benedikti XVI u kujtoi besimtarëve se sonte, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, do të kremtonte Lutjet e para Mbrëmësore për mbylljen e Vitit kushtuar dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të Popujve. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë meshtarët e botës të ndjekin shembullin e Shën Palit.
Viti, që iu kushtua, tashmë shënon ditën e fundit. Vit tejet të rëndësishëm – e quajti Papa - e sfidë për shndërrimin e jetës sonë të përditshme në dëshmi të guximshme të Krishtit:
“Ishte një kohë e vërtetë hiri në të cilën, përmes shtegtimeve, katekizmave, botimeve të shumta e nismave të panumërta, figura e Shën Palit u vu në qendër të vëmendjes së mbarë Kishës e mesazhi i tij prekës ringjalli kudo, në bashkësitë e krishtera, pasionin për Krishtin e për Ungjillin e Tij”.
Viti kushtuar Shën Palit u gërshetua me Vitin Meshtarak, përuruar më 19 qershorin e kaluar, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, me rastin e 150-vjetorit të vdekjes, a më mirë të themi, të lindjes për qiell, të Shën Gjon Vianejt, Famullitarit të Arsit. Një shtysë e re shpirtërore e baritore – shpjegoi Papa – që do t’i sjellë shumë fryte popullit të krishterë e, posaçërisht, klerit. Por, cili është qëllimi kryesor i Vitit Meshtarak?
“Siç shkrova në Letrën përkatëse drejtuar meshtarëve - shpjegon Papa - ai ka për qëllim të ndihmojë për të promovuar impenjimin e përtëritjes shpirtërore të të gjithë meshtarëve, për një dëshmi ungjillore më të fortë e më energjike në botën e sotme. E, në këtë drejtim, Shën Pali Apostull është model i shkëlqyer, që meriton të ndiqet, jo aq në jetën konkrete – sepse jeta e tij qe tejet e jashtëzakonshme - por në dashurinë për Krishtin, në zellin për kumtimin e Ungjillit, në përkushtimin e plotë ndaj bashkësive, në hartimin e sintezave të suksesshme të teologjisë baritore”.
Shën Pali – vijoi Ati i Shenjtë – është shembull i meshtarit që bëhet një me shërbimin e tij, ashtu siç do të ishte edhe Famullitari i Shenjtë i Arsit, i vetëdijshëm se kishte në shpirt një visar të paçmuar, mesashin e shëlbimit, por edhe se këtë mesazh e mbarte në një ‘enë prej argjile’ (cfr 2 Kor 4,7), prandaj ai është njëkohësisht i fuqishëm e i përvujtë, thellësisht i bindur se gjithçka është meritë e Zotit, gjithçka është hir i Tij”:
"Dashuria e Krishtit na rrëmben – shkruan Apostulli - e kjo mund të jetë moto e çdo meshtari, i cili i nënshtrohet plotësisht Shpirtit Shenjt (cfr Vap 20,22) për t’u bërë mbarështues i mistereve të Hyjit (cfr Kor 4,1-2; meshtari duhet t’i përkasë i tëri i Krishtit e i tëri Kishës, së cilës është i thirrur t’i kushtohet me dashuri, të cilën nuk mund ta ndajë me askënd, ashtu si dhëndrri besnik ndaj nuses së vet”.
Papa iu lut Virgjërës Mari të ndërmjetësojë për të nxjerrë nga Zoti hirin e bekimeve hyjnore për meshtarët, gjatë këtij viti, që u kushtohet:
“Zoja e Bekuar, që Shën Gjon Vianej e deshi aq shumë e u përpoq ta donin po aq edhe besimtarët e vet, e ndihmoftë çdo meshtar ta përtërijë dhuratën e Hyjit, që ka në shpirt falë Shugurimit shenjt, kështuqë të rritet në shenjtëri e të jetë gati ta dëshmojë, në se është nevoja, deri në martirizim, bukurinë e përkushtimit të tij të plotë e përfundimtar ndaj Krishtit e Kishës”.
Njeriu është bërë për jetën, pohoi akoma Papa, duke përshëndetur besimtarët francezë e duke kujtuar kështu edhe liturgjinë e kësaj së diele:
"Quiconque accepte de croire au Christ...
“Kushdo që pranon të besojë në Krishtin e ta themelojë jetën mbi dashurinë e Jezusit – përfundoi Ati i Shenjtë - merr prej Tij forcën, që e bën të jetojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.