2009-06-28 20:06:01

Disa hollësi për jetën e Shën Palit


(28.06.2009 RV)Data e lindjes
Pali duhet të ketë lindur në dhjetëvjeçarin e parë pas Krishtit. Këtë e provon epiteti, që përdoret për të në Veprat e Apostujve (Vap 7,58), kur përshkruhet martirizimi i Shtjefnit. Quhet ‘i ri’ (7, 58: neanías) e të rinj në atë kohë quheshin djelmoshat ndërmjet 25 e 35 vjetëve. Ndërsa në Letrën drejtuar Filemonit, ai e quan veten ‘plak(Fil 9: presbýtes), e asokohe njeriu quhej ‘plak’, kur arrinte të gjashtëdhjetat. Data e lindjes së Shën Palit varet, në mënyrë absolute, nga datimi i Letrës drejtuar Filemonit. Sipas traditës, letra u shkrua gjatë burgimit romak, në mesin e viteve ’60. Pali duhet të ketë lindur në vitin 8, kështu duhet të ishte pak a shumë gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa në çastin e mbytjes me gurë të Shtjefnit, ishte 30 vjeç. Kjo duhet të jetë kronologjia e saktë. E Viti kushtuar Shën Palit, ndoqi pikërisht këtë kronologji. U zgjodh 2008-ta, duke menduar se Shenjti lindi pak a shumë në vitin 8.

Njeri me dy emra
Emri Pal, me të cilin Apostulli nënshkruan letrat, është latin i greqizuar e do të thotë ‘i vogël’. Ndërsa në veprat e Apostujve thirret edhe Saul/Shaul, emri i mirënjohur i mbretit Saul, që ishte nga fisi i Beniaminit, ashtu si Pali. Apostulli përdori si njërin, ashtu edhe tjetrin emër, gjë që nuk ishte aspak e jashtëzakonshme për vendin e për kohën. Lindorët e kishin zakon t’i shtonin emrit të tyre latin apo grek, edhe një lindor.

Zeja
Zejën apo zanatin që ushtronte Pali, e mësojmë nga vetë Letrat e tij, në të cilat ai mjaftohet të tregojë se bënte punë dore. Ndërsa duke lexuar Veprat e Apostujve (Vap 18,3) mësojmë se Pali nisi të ushtronte zejen në punishten e Akuilas e të Prishilës, që punonin çadra me lëkurë dhish cilicie. Këto çadra, që prodhoheshin nga mjeshtra privatë, përdoreshin kryesisht nga ushtarët për t’u strehuar gjatë fushimit, por edhe nga njerëz të ndryshëm, për të ndenjur në fresk në kopshtet e shtëpive të tyre, buzë deti, gjatë organizimit të garave sportive ose edhe për përdorim publik. Rrugët e Romës dhe i gjithë Fori Romak ishin plot me çadra të tilla, që u bënin hije njerëzve të lodhur nga vapa. Ishte, prandaj, një zeje me shumë fryt.

Lidhje të mundshme me Kumranin
“Ka shumë mundësi që në fillim të misionit të tij, tri vjet pas shndërrimit, Pali të jetë ndikuar nga esenët, që banonin në zonën e Damaskut. Një argument i tillë trajtohet nga J.A. FITZMYER, në veprën «The Qumran Scrolls and the New Testament after Forty Years», botuar në Revue de Qumran 13 (1988), 611-620; cf.. E po këtë argument e gjejmë edhe tek H.-W. KUHN në «The Impact of the Qumran Scrolls on the Understanding of Paul», botuar nën kujdesin e The Dead Sea Scrolls . Forty Years of Research (Leiden - New York 1992), 327-337.

Sëmundja dhe ‘ferra në mish”
Sëmundjen e Palit e mësojmë nga Letra drejtuar Galatasve, në të cilën shkruan: “Ju e dini se për shkak të një sëmundjeje të trupit tim, ju kumtova për herë të parë Ungjillin. Dhe trazimin që ju shkaktoi trupi im i sëmurë, nuk e përbuzët e nuk shfaqët pakënaqësi” (Gal 4,13-14). Pastaj mësojmë se ai ka ‘një ferrë në trup’. Në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit - për të më rrahur, që të mos krenohem” …” (2 Kor 12,7).
Në të dy tekstet Pali flet për të njëjtën gjë. Kishte një sëmundje kronike? Sëmundjen e tokës? Sëmundje sysh? Malarien? Duke pasur parasysh qëndresën e jashtëzakonshme fizike të Palit, që kapërcen vështirësi pas vështirësie, hamendësohet se ëngjëlli i djallit ndoshta mund të ishte një individ ose një grup kundështarësh, që i kundërvihej veprimtarisë së tij apostolike. Për ta sqaruar këtë çështje, është shkruar shumë e hulumtimet na çojnë tek studimi i J.J. THIERRY, «Der Dorn im Fleische (2Kor. XII 7-9)», në Novum Testamentum 5 (1962), 301-310 dhe tek studimi i J.W. MCCANT, «Paul's Thorn of Rejected Apostleship», in New Testament Studies 34 (1988), 550-572 .

Nënshtetësia romake
Në qytetet greko-romake nuk banonin masa njerëzish pa dallim fare e fisi, si në qytet tona perëndimore. Asokohe popullsia e qyteteve ishte e mirorganizuar sipas grupeve me lidhje etniko-fetare. Familjet, mbi bazën e lidhjeve të gjakut, organizoheshin në vëllazëri. Fëmijët e vëllazërisë shkruheshin në mbledhjen e parë publike, që mbahej pas lindjes së tyre. Së fundi, vëllazëritë formonin fiset, që i bashkonte nderimi për perëndi të njëjta. Fëmija shkruhej në listën e fisit, kur mbushte 18 vjeç.
Pali u shkrua në fisin judaik të Tarsit, por kishte edhe nënshtetësinë romake (Vap 22,25-29), privilegj i rrallë, që e fitoi familja e tij. Se si, nuk dihet.
Kur anëtarët e një fisi bëheshin të krishterë e si pasojë, nuk mund të merrnin më pjesë në kultin pagan, e humbisnin përkatësinë e fisit. Kishin një atdhe tjetër. Shkruan Shën Pali: “…Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot (Fil 3, 20).
Për ta sqaruar më tej këtë argument, mund të lexohet studimi i A. ROLLA, «La cittadinanza greco-romana e la cittadinanza celeste di Filippesi 3,20», në Studiorum paulinorum congressus internationalis catholicus 1961 , II (Analecta Biblica 18; Romae 1963), 75-80.








All the contents on this site are copyrighted ©.