2009-06-28 20:20:17

Bota shqiptare në enciklopedi


(28.06.2009 RV)Dhjetë vjet punë për të përgatitur botimin e dytë të përpunuar të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar

U hodh dje në qarkullim Fjalor Enciklopedik Shqiptar në dy vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhjetë vjet për këtë vepër, e cila vjen pas botimit të parë të fjalorit të vitit 1985. Prezantimi zyrtar është bërë dje në Akademi nga kryeredaktori i projektit, Prof. dr. Emil Lafe, të cilit iu besua kjo punë në fund të vitit 1999. Ai e pat menduar si një repart riparimesh e shërbimesh me 4 persona - që do të rishihnin veprën e '85-ës - atë që do të duhej të ishte një kantier ndërtimi i vërtetë. Në këtë mënyrë metaforike, Lafe e ka parë të arsyeshme të shpjegojë vonesën e kësaj detyre mbi normën e lejuar.

Shefi i Redaksisë së Enciklopedisë, ka organizuar punën e mbi 1000 specialistëve, të cilët kanë punuar për hartimin e 7200 zërave, pra mbi 2000 zëra më shumë se fjalori i parë akademik i vitit 1985. Të dy vëllimet, me tirazh 3500 kopje, përbëjnë një histori të botës shqiptare, të zhvillimeve të saj dhe të dukurive të reja brenda saj dhe në trojet etnike, diasporën e vjetër dhe të re. E gjitha e përmbledhur në 3000 faqe.
Në një prononcim për "Shekulli"-n, pak kohë më parë, Prof. Lafe pohonte se ka pasur përpjekje për të ruajtur një model në ndërtimin e një zëri duke mbajtur parasysh: dhënien e figurave dhe ngjarjeve pa qëndrime emocionale, në mënyrë jo subjektive, dhe rishikimi në themel i atyre zërave që ishin zbukuruar për hir të demagogjisë dhe politizimit të 45 viteve; është hequr frazeologjia emocionale politike e kohës.
Të njëjtën gjë ai pohoi edhe dje. Fjalori enciklopedik shqiptar pasqyron historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike, që nga lashtësia deri në vitet nëntëdhjetë.
Më gjerësisht janë trajtuar zërat që nga pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e saj shtet, më 28 Nëntor 1912, duke përfshirë fushat e arkeologjisë; historisë së lashtë, mesjetës, rilindjes, bashkëkohësisë; fushën e historisë së ushtrisë; e kulturës popullore; e letërsisë nën drejtimin e Prof. Jorgo Bulos; e gjuhësisë, e drejtuar nga Prof. Seit Mansaku; fusha e artit dhe e kulturës, e drejtuar nga Prof. Ferit Hudhri dhe Prof. Josif Papagjoni; e gjeografisë, e drejtuar nga Prof. Arqile Bërxholi dhe Prof. Farudin Krutaj; e arsimit, e drejtuar nga i ndjeri akad. Bedri Dedja; e shtypit, e drejtuar nga Prof. as. Bashkim Gjergji; e sociologjisë dhe e filozofisë, nën drejtimin e Zija Xholit, e kështu me radhë zërat e fushave të tjera të ekonomisë, industrisë, ndërtimit e komunikacionit, të bujqësisë, të mjekësisë, kimisë.
Ka pasur edhe një këshill botues për këtë vepër, i përbërë nga akad. Ylli Popa (kryetar), Prof. Arqile Bërxholi, akad. Jorgo Bulo, Prof. Emil Lafe, akad. Luan Omari, akad. Kristaq Prifti, akad. Eduard Sulstarova.
"Jemi të vetëdijshëm se kjo vepër e realizuar në një kohë të cilësuar si periudhë tranzicioni, pasqyron aty-këtu dritëhijet e kësaj periudhe. Por ato do të përmirësohen në një botim tjetër jo aq të largët. Unë e përshëndes idenë e shprehur nga kryetari i ASHSH-së, akad. Gudar Beqiraj, se veprimtaria enciklopedike do të jetë një fushë pune e përhershme e Akademisë së Shkencave", - tha dje Lafe. Dhe shtoi se kjo është "një vepër që na bën ta njohim më mirë dhe ta duam më shumë atdheun tonë, historinë dhe kulturën tonë, veten tonë."
Megjithatë, është herët për një vështrim kritik të veprës, nëse do të ketë ndonjëherë artikuj kritikë ndaj asaj, që kryeredaktori Lafe e cilësoi ngjarje e shënuar në jetën shkencore të vendit tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi; fryt i një pune të gjatë kolektive; arritje e rëndësishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; dëshmi domethënëse e rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare, të pavarësisë së kërkimit shkencor në kohën tonë dhe njëkohësisht, një dëshmi të aftësisë së kapaciteteve intelektuale, që janë formuar në strukturat e saj.
Sa e shënuar është kjo ngjarje në jetën shkencore të vendit, por edhe të shkencës e të kulturës në tërësi, sa i pjekur është ky fryt kolektiv; sa e rëndësishme dhe sa arritje e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; sa domethënëse dëshmia e rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare dhe sa pavarësi intelektuale dhe aftësi e kapaciteteve intelektuale që janë formuar në strukturat e Akademisë së Shkencave, të gjitha merita, që është mirë që autorëve t'u njihen prej të tjerëve jo prej vetvetes.
ELSA DEMOMarrë nga gazeta ‘Shekulli’, 27. 06. 2009







All the contents on this site are copyrighted ©.