2009-06-26 17:56:55

Vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Vietnamit: në mikrofonin tonë, kryetari i Konferencës ipeshkvnore.


(26.06.2009 RV)RealAudioMP3 Vijon vizita ‘ad Limina Apostolorum’ e prelatëve të Vietnamit në Vatikan. Pas grupit të parë të djeshëm, sot Papa priti 6 ipeshkvij të tjerë, të cilët i paraqitën situatën në vend. E pikërisht për këtë situatë flet, në mikrofonin tonë, edhe kryetari i Konferencës ipeshkvnore vietnameze, Imzot Pierr Ngyen Van Non:

Përgjigje: - Ungjilli i Krishtit u mboll në trojet e Vietnamit që nga viti 1533. Më pas erdhën çaste të vështira, por me ndihmë të Zotit, gjithçka kaloi. Duhej pritur viti 1960, që të formohej hjerarkia vietnameze. Konferenca ipeshkvnore lindi në vitin 1964, pastaj, më 1969, në vend arriti delegacioni i parë i Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga Kardinali Eçegarai. E duke nisur nga ky çast, delegacionet e Vatikanit vijuan të vijnë rregullisht në Vietnam. Por për vizitën e parë mund të themi se shënoi një kthesë të vërtetë historike. I hapi rrugën vizitave e takimeve të mëpasme, që sollën të reja tepër pozitive për Kishën e për vendin. Ndërmjet tyre, takimi, edhe ky historik, i Kryeministrit vietnamez me Papën Benedikti XVI në janar të vitit 2007. E kjo tregon se marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë tani po ecin në rrugën e duhur, ndonëse akoma nuk na është realizuar dëshira e zjarrtë për të pasur një përfaqësues të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Vietnam, si shenjë e dukshme e pranisë së Papës dhe Kishës universale. Vështirësitë dhe tensionet nuk mungojnë, por mendoj se tashmë problemet mund t’i zgjidhim me rrugën e dialogut.

Pyetje: - Vietnami është vend me shumicë budiste; si janë marrëdhëniet e Kishës me budistët e me fetë e tjera?

Përgjigje: - Në përgjithësi duhet thënë se Kisha katolike ka marrëdhënie të mira me fetë e me konfesionet e tjera fetare. Ndonëse doktrinat janë të ndryshme, është përherë një ideal që na bën ta kuptojmë njëri-tjetrin: besimi në një qenie të mbinatyrshme e, sidomos, çështja morale.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për ardhmërinë e Kishës e për rolin e saj në shoqërinë vietnameze? Për seminaret, sidomos?

Përgjigje: - Çdo seminar ka shumë seminaristë, rreth 150-250. Numri i përgjithshëm është 1 mijë. E ne shpresojmë shumë tek të rinjtë, sepse janë ardhmëria e vendit dhe e Kishës. Kur na pyesin: ‘Pse në Vietnam ka shumë thirrje për jetë meshtarake e rregulltare’, përgjigjja e vetme është: “Falë punës në familje, që është një paraseminar i vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.