2009-06-26 17:57:33

Kisha universale pranë të krishterëve të Tokës Shenjte: reflektim i imzot Frankos.


(26.06.2009 RV)Kisha e mbarë botës është pranë të krishterëve të Tokës Shenjte. Këtë e përsëriti edhe Papa dje, në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e Roako-s. E ky solidaritet ndjehet fort në të gjithë zonën, ku të krishterët vijojnë të përballojnë vështirësi e të kapërcejnë pengesa të përditshme, siç e tregon edhe nunci apostolik në Izrael, kryeipeshkvi Antonio Franko, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Në Izrael situata, ndonëse me vështirësitë e veta, është më e mirë. Në Izrael gjendet punë, të krishterët mund të punojnë; e duke punuar, mund të ndërtojnë një jetë më të mirë, pavarësisht nga kufizimet e shtrëngimet. Tani nis të shtrohet problemi si ta afirmojnë identitetin e tyre. Për mendimin tim, theksi duhet vënë mbi formimin, sepse bindja e thellë personale, të shtyn të veprosh në përkim me fenë tënde e ta dëshmosh këtë fe. Përsa u përket territoreve palestineze, ka edhe probleme të natyrës më njerëzore, më praktike. Por gjëja më e rëndësishme mbetet gjithnjë puna, mbetet fitimi i bukës së përditshme.

Pyetje: - E dimë se puna gjendet shpesh përtej murit e se nganjëherë nuk është e lehtë të arrihet në vendin e punës…

Përgjigje: - Shumë shkojnë të punojnë në Izrael, ku ka emigracion, edhe të paligjshëm e, prej këndej, edhe shfrytëzim në punë. Palestinezët i përkasin pikërisht kësaj kategorie.

Pyetje: - Ç’mund të bëhet konkretisht, duke pasur parasysh projektet e Roako-së?

Përgjigje: - Roako bën shumë. Këto shoqata të ndryshme, këto organizata të ndryshme, ndihmojnë për realizimin e projekteve në Tokën Shenjte e besoj se duhet marrë guximi që të realizohen ato projekte, që mund ta ndihmojnë më shumë Kishën në tërësi si dhe nismat e saj në favor të këtyre popullsive.







All the contents on this site are copyrighted ©.