Thirrje e re e Papës për paqen në Lindjen e Mesme: Gaza krejtësisht e braktisur.
(25.06.2009 RV)Kurrë më luftë e
dhunë në Tokën Shenjte. Audienca me anëtarët e Roakos, Bashkimit të Veprave në Ndihmë
të Kishave Lindore, i ofroi sot paradite Benediktit XVI rastin për të reflektuar mbi
njërën nga pikat më nevralgjike të planetit, mbi Lindjen e Mesme. Pikërisht në ato
troje, fati i Kishës lokale është i lidhur ngushtë me konfliktin izraelito-palestinez.
Pa doreza, Papa foli për gjendjen në Rripin e Gazës dhe për fenomenin e emigracionit,
duke kërkuar që ai të shihet me kompetencë e solidaritet të madh. Duke folur
në katër gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI kujtoi udhëtimin e tij në Tokën Shenjte
një muaj e gjysëm më parë dhe momentet, në të cilat mundi të inkurajojë të krishterët
e atyre vendeve të qëndrojnë, duke dhënë dëshminë e fesë së tyre të gjallë, shpesh
të shoqëruar me vuajtje të mëdha: “Rinovoj lutjen dhe thirrjen që të mos ketë
më luftë, kurrë më dhunë, kurrë më padrejtësi. Dëshiroj t’ju siguroj se Kisha universale
do të qëndrojë në krah të të gjithë vëllezërve e motrave tona, që jetojnë në Tokën
Shenjte”. Duke folur për përfundimin e afërt të Vitit kushtuar Shën Palit
Apostull, Ati i Shenjtë vuri theksin tek bamirësia, si gurra e pashterrshme nga ku
rrjedh krejt shërbimi i Kishës, metoda dhe mënyra e saj ndërhyrjes. Ky është metri
me të cilin vlerësohen nismat e Roakos dhe të Kongregatës për Kishat Lindore, nisma
të menduara për të mbështetur shpirtërisht e materialisht jetën kishtare të vendeve
të Lindjes. E kjo “lëvizje bamirësie”, siç e quajti Benedikti XVI, duhet të jetë e
organizuar, të dijë të gjejë përparësitë e vërteta: “Me frymën e fesë, me analiza
kompetente e me thjeshtësinë e duhur mund të korrigjohen vendime të kota e mund të
përballohen nevojat aktuale; për shembull, situata e refugjatëve dhe e emigrantëve,
një problem sidomos për Kishat Lindore, si edhe rindërtimi i Rripit të Gazës, që është
krejt i braktisur e ku duhet të mbahet parasysh edhe shqetësimi i ligjshëm i Shtetit
të Izraelit për sigurinë e vet”. Pastaj, një mendim tjetër për Vitin Meshtarak.
Papa u rekomandoi pjesëmarrësve në audiencë të kujdesen në mënyrë të veçantë për meshtarët
dhe të mbështesin seminaret. E pastaj kujtoi se ç’tha në përurimin e këtij viti jubilar,
në Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Krishtit: “Ia kam besuar Zemrës së Krishtit
e të Nënës së tij të Papërlyer të gjithë meshtarët e botës, me një mendim të veçantë
për ata që në Lindje, ashtu si në Perëndim, po përjetojnë momente vështirësie e sprove.
Me këtë rast, ju lutem edhe juve të luteni për priftërinjtë. Ju kërkoj të vazhdoni
të më mbështesni edhe mua, Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull, që ta kryej plotësisht
misionin tim në shërbim të Kishës universale”.